Arbëri

Liturgjinë në Kishën e kampusit të UP-së, Kosova e quan provokim të Serbisë para dialogut

Provokim nga Serbia, është konsideruar liturgjia e së enjtes në kishën e papërfunduar në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Një gjë e tillë është konsideruar se po përdoret për qëllime politike pak ditë para rinisjes së dialogut në Bruksel.

Teksa në Serbi është konsideruar arritje mbajtja e liturgjisë për herë të parë që nga viti 1998, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se aktiviteti përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike. Kisha e Krishtit Shpëtimtar, është shenja e regjimit të Milosheviqit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se për aktivitetin e Dioqezës së Rashkë-Prizrenit, Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht. Duke shtuar se prona ku është e ngritur struktura e papërfunduar e kësaj kishe është në procedurë kontestimore, ku paditës është Universiteti i Prishtinës, Çeku ka thënë se asnjë palë që është pjesë e procedurës gjyqësore “nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat”. Ai po ashtu ka paralajmëruar se institucionet s’do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike apo të nxisin konflikte duke rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve.

“Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë. Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjithë mekanizmat institucionalë. Mirëpo veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike, që ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe që nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, ka shkruar ai të enjten në mbrëmje në Facebook.

Krerë të tjerë institucionesh gjatë ditës kanë heshtur përballë raportimeve, ndërsa nuk ka pasur përgjigje as nga Policia e Kosovës.

Kritikat e opozitës: Liturgji me leje të Qeverisë

Reagime ka pasur nga opozita. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo liturgji u bë me leje dhe dijeni të Qeverisë së Kosovës.

“Kurrë nuk mund të sigurohej ardhja e ipeshkvit Teodosije dhe pelegrinëve serbë pa lejen, ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes politike nga Qeveria. Prandaj sot, fatkeqësisht, u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiqit. Kjo liturgji më së paku është fetare. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Milosheviqit”, ka thënë ai.

Sipas tij, “gërmadha e ngritur dhe e papërfunduar në kohën e okupimit duhej të trajtohej si e tillë – një projekt tjetërsimi shovinist ndaj shqiptarëve që u ndal dhe nuk përfundoi asnjëherë”.

“Por jo, 22 vjet pas luftës, kur plagët e dhimbjes nga lufta janë ende të hapura, të organizohet me lejen e plotë të Qeverisë Kurti, një liturgji që është thellësisht politike, është e dhimbshme dhe e papranueshme”, ka kritikuar ai.

Sikur shefi i tij në PDK, edhe Faton Abdullahu e ka lënë fajtore Qeverinë për mbajtjen e kësaj liturgjie. Në emisionin “Desku” në KTV ai ka thënë se “Serbia e ka bërë liturgjinë për të provokuar dhe me djallëzi”.

“Ka provokuar se mos po bien shqiptarët në atë kurth e të ngrijë si çështje në Bruksel se ‘ja kishat i kemi të pambrojtura dhe ja dëshmia e freskët’”, ka theksuar ai. Abdullahu ka thënë se qytetarët janë ata që duhet duartrokitur për faktin se situata nuk u përshkallëzua. “Qeveria është dashur të thoshte se ngadalë. Ky prift që mban liturgji i ka bekuar ata ushtarë që të bëjnë masakra në Kosovë. S’është dashur t’i pranonte assesi”.

E Abdullahu ka thënë se po të ndodhte një liturgji e tillë në kohën sa vendi qeverisej nga PDK-ja e LDK-ja “këto parti do të konsideroheshin si tradhtarë që bashkëpunojnë me Serbinë”.

Se liturgjia është provokim nga ana e Serbisë, është shprehur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi. Sipas tij, gjithçka ka qenë me qëllimin që në Kosovë të shkaktohet ndonjë incident.

Reagim të Qeverisë së Kosovës dhe të Komunës së Prishtinës gjatë ditës ka kërkuar edhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati i saj për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e vjeshtës, Daut Haradinaj. Ai ka thënë se me liturgjinë e së enjtes është shkelur dinjiteti i Kosovës dhe janë ofenduar qytetarët e vendit.

Liturgjinë në kampusin e UP-së e ka konsideruar manipulim të fesë për qëllime politike edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Manipulim me fenë

Ndërkaq Sali Shoshi, drejtori ekzekutiv i fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, e ka quajtur politike meshën e organizuar nga Kisha Ortodokse Serbe. Sipas tij, qëllimi ka qenë që të nxitet reagim shoqëror që të përdoret si argument për aspiratat e Serbisë për eksterritore.

“Kur them provokim, mendoj për faktin që ‘mesha’ organizohet në një objekt të ndërtuar gjatë regjimit të Milosheviqit, lokacioni i të cilit gjendet në mes të kampusit universitar, pra trualli i është uzurpuar Universitetit dhe i cili është ndërtuar për me i tregu qëllimet e atij regjimi. Është shumë mirë që si shoqëri mos me ra në provokim, por institucionet shtetërore duhet me bë çmos për të parandaluar dhe alarmuar për rrezikun që vjen prej këtyre provokimeve”, ka shkruar ai në Facebook.

Teksa nga Policia e Kosovës s’ka pasur përgjigje për këtë ngjarje, në mediat lokale serbe dhe ato në Serbi është marrë për bazë një postim i pjesëtarit të Listës Serbe, Dalibor Jevtiq. Ai shkroi në Twitter se edhe pse “s’pati asnjë deklaratë politike nga askush”, autoritetet u përgjigjën duke “dërguar policinë dhe duke hetuar rreth tempullit”. Bashkë me shkrimin Jevtiq postoi edhe fotografi të disa policëve që shiheshin në hapësirat përreth Kishës.

Lutjet e Teodosijes që kisha të përfundohet

Peshkopi Teodosije në liturgjinë në “Ditën e Shpëtimtarit”, në fjalën e tij, ka bërë lutje që kjo kishë e papërfunduar të ndërtohet përfundimisht. Ai ka thënë se tempulli në Prishtinë “duhet të shërbejë për bashkim të të gjithëve në paqe, dashuri e harmoni”.

Kisha në kampusin e Universitetit të Prishtinës kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë nuk arriti të përfundohej. Pas luftës Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundmi më 2016, por s’qe lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacion për objektin.

I gjithë diskutimi për liturgjinë ndodhi në të njëjtën ditë kur kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë polemizuan në Samitin e krerëve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë. Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se pengesa kryesore për bashkëpunimin rajonal në Ballkan është mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë, Ana Bërnabiq e Serbisë e pa si provokim pikëpamjen e Kosovës për bashkëpunim.

Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet që në javët e ardhshme të muajit qershor të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut.

Diskutimet për objektet fetare si trashëgimi kulturore kanë qenë kryetemë në diskursin publik muajve të fundit qëkur Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve evropiane në rrezik. Diskutimet u shtuan më vonë kur institucionet e Kosovës iu drejtuan atyre të Serbisë për kthimin e artefakteve të vendit që mban në Beograd që prej vitit 1998-99. Pasoi edhe letra që kryeministri, presidentja dhe kryeparlamentari ia dërguan UNESCO-s me kërkesën që katër monumentet e Kosovës të nxirren nga lista e monumenteve të rrezikuara.