Arbëri

Sot fjala përfundimtare në rastin e Haki Rugovës

Prokuroria Themelore në Pejë dhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova do të përballen sot për herë të fundit në gjykatë, para se kjo e fundit të shpall aktgjykimin ndaj Rugovës.

Rugova akuzohet nga Prokuroria se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas mbajtjes së disa seancave për këtë rast, sot prokurori Ali Uka dhe mbrojtja e Haki Rugovës do të japin fjalët e tyre përfundimtare për këtë rast.

Në seancën e kaluar që ishte mbajtur për këtë rast më 28 maj 2021, i pari i Komunës së Istogut, Haki Rugova në mbrojtjen e tij të dhënë para trupit gjykues të Gjykatës së Pejës kishte pranuar se kishte nënshkruar kontratën për dhënien e tenderit kompanisë së vëllait të tij Gani Rugova, raporton Betimi për Drejtësi.

Mirëpo, sipas tij, ky nënshkrim ishte bërë aksidentalisht pasi kjo kontratë i ishte dërguar për nënshkrim me shumë dokumente tjera.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.