Arbëri

Osmani: Ekziston një parakusht për paqe - drejtësia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një bisedë për Atlantic Council ka thënë se Serbia duhet që më në fund të hap arkivat dhe të tregojë ku janë trupat e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Osmani ka thënë se ka një parakusht për paqe dhe ajo është drejtësia.

Osmani thotë se është koha që Serbia të distancohet nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“Ka një parakusht për paqe, e kjo është drejtësia. Askush në Kosovë nuk po kërkon hakmarrje, ne thjeshtë po kërkojmë drejtësi. Janë çështje që do të fliten qartazi në dialog. Sa herë flas për këto krime, e them qartazi se i ka kryer regjimi i Millosheviqit, është koha që Serbia të bëjë dallimin e të largohet nga ai regjim”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Serbia duhet të tregojë qartë orientimin që synon. Sa i përket takimit që pritet të mbahet më 15 qershor, Osmani ka thënë se Kosova shkon e përgatitur.

“Vërtetë mendoj se është koha që Serbia të vendosë se çfarë do. Kosova ka treguar se është pala konstruktive në dialog, ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, ka vendosur të ulet në tavolinën e dialogut, përkundër se Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra. Ne ishim fqinji i mirë. Kosova kurrë nuk ka qenë destabilizues i rajonit. Është koha që edhe Serbia të bëhet fqinje e mirë. Jo vetëm me ne, por edhe për Kroacinë, Malin e Zi e Bosnjën. Në procesin e dialogut ka një takim në qershor. Kosova shkon e përgatitur me qëllim për të kontribuuar në arritjen e një marrëveshje finale që ka synim njohjen e ndërsjellë në kufijtë aktual të Kosovës dhe bazuar në deklaratën e pavarësisë dhe Kushtetutën”, tha Osmani. “Një gjë është shumë e rëndësishme jo vetëm për mua si presidente e Kosovës, por për gjithë popullin. Është çështja e të zhdukurve. Do të bëjmë maksimumin në këtë drejtim. Serbia të hap arkivat e të tregoj vendndodhjen e të zhdukurve. Familjet janë duke pritur fëmijët e tyre. Duhet të kuptojmë se largimi i barrierave është e rëndësishme, e kemi pasur shumë bisedime, madje kemi folur edhe për shënime në regjistrimet e veturave. Por, kur shkova në Suharekë e takova nënën e familjes Berisha, që gjeti disa fëmijë, por ende i mungon një nga vajzat e saja, një vajzë e vogël, varri është ende hapur, sigurisht se nuk mund më të flas për regjistrime. Duhet njerëzit të kthehen. Kur njerëzit të kthehen atëherë mund të hapet kapitull tjetër, tregti, regjistrime, e çështje tjera. Largimin e barrierave”.

Osmani po ashtu ka thënë se është me rëndësi që Kosova të anëtarësohet në Interpol, Europol e NATO.
Për Interpol foli për aksionin ku u kapën 400 kilogramë kokainë në Lipjan në një aksident të përbashkët mes policisë së Kosovës, Shqipërisë e Italisë.

E ajo ka thënë se duhet punuar me anëtarët e NATO-s për t’i bindur se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është i rëndësishëm për gjithë rajonin. Ka përmendur edhe stërvitjet “Defender Europe 21” që janë mbajtur së fundi.