Arbëri

Blinken: SHBA-ja e angazhuar në luftën ndaj korrupsionit në Ballkanin Perëndimor

Pas Urdhrit Ekzekutiv të presidentit amerikan, Joe Biden, për të zgjeruar hartën dhe kriteret e vendosjes së sanksioneve ndaj individëve dhe organizatave që përfshihen në korrupsion e krim të organizuar në Ballkanin Perëndimor, sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se SHBA-ja është e përkushtuar në luftën ndaj korrupsionit te shtetet partnere.

“Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshme se korrupsioni kërcënon barazinë ekonomike, luftën kundër varfërisë, përpjekjet për zhvillimin ekonomik, si dhe vetë demokracinë. Korrupsioni, kudo që të jetë, dëmton drejtpërdrejtë politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatët e partnerët tanë”, ka thënë Blinken, raporton VoA.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të nxitur llogaridhënien si dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë ndaj atyre që janë përfshirë në raste madhore korrupsioni në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë”, ka shtuar ai.

Sipas Blinkenit, urdhri i fundit ekzekutiv i Bidenit zgjeron hartën e sanksioneve në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë disa marrëveshje të viteve të fundit, siç është ajo e Prespës e vitit 2018, apo zgjatja e mandatit të Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi.

Veç atyre që rrezikojnë paqen e sigurinë, sanksione mund të vendosen tani edhe ndaj individëve që destabilizojnë rajonin duke minuar institucionet demokratike dhe shtetin ligjor, ose që shkelin të drejtat e njeriut.

Urdhri tani përfshin edhe Shqipërinë. Deri tash, Urdhri Ekzekutiv, një vazhdimësi në vite e qëndrimeve të administratave të ndryshme amerikane që nga viti 2001, përfshinte vetëm vendet e dala nga shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë.

“Urdhri Ekzekutiv autorizon vendosjen e sanksioneve ndaj individëve, apo enteve, që janë përgjegjëse për korrupsion në rajon, që janë përfshirë në përvetësim fondesh publike, tjetërsim pronash private për përfitime personale apo politike, ose të përfshirë në ryshfete. Pronat, ose interesat në prona të ndryshme, që personat e përcaktuar në bazë të Urdhrit Ekzekutiv, kanë në Shtetet e Bashkuara, ose që kanë lidhje me Shtetet e Bashkuara, apo bien në duar të personave në Shtetet e Bashkuara, do të bllokohen dhe shtetasit amerikanë janë të ndaluar të kryejnë transaksione me ta. Veç kësaj, individët, që përcaktohen në bazë të këtij urdhri, nuk do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, ka theksuar Blinken.