Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Franco Federici, në Desk të KTV-së ka treguar se KFOR-i ka kontakte të rregullta me kryetarët e komunave veriore dhe patrulla me ushtrinë serbe.
Federici ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile.
“Që nga fillimi ka pasur dhe ka ende bashkëpunim me të gjitha institucionet e Kosovës. Dhe mendoj se që nga ardhja ime këtu, marrëdhëniet tona kanë qenë gjithherë shumë profesionale dhe të lidhura në mënyrë strikte me të mirën e njerëzve në Kosovë dhe, e dini, të orientuara drejt një sigurie gjithnjë e më të mirë në terren. Po. Pra, absolutisht marrëdhënie të mira. Dua ta ritheksoj: gjendja e sigurisë është stabile, është e mirë dhe nuk bëj kurrfarë dallimi ndërmjet veriut, perëndimit, jugut e kështu me radhë. Në terma të përgjithshëm, mund të vlerësoj se gjendja është stabile. KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën, jemi të gatshëm, çfarë do të doja të theksoja është se KFOR-i që nga fillimi e bën këtë dhe e kemi vazhduar këtë proces. Dhe ka ndërtuar bashkëpunim me të gjitha institucionet në nivel qendror, por edhe në nivel lokal. Po flas për shembull për nivelin komunal. Kam shumë kontakte me kryetarët e komunave. Komandantët nën udhëheqjen time kanë kontakte të rregullta me kryetarët e komunave, duke i përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, vetëm për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe përsëri po e them, komunat e veriut nuk përbëjnë përjashtim”, ka deklaruar Federici. “Situata aktuale është stabile. Më lejoni të shtoj se unë kam kontakte të rregullta me shefin e forcave ushtarake serbe që është edhe, të themi, partner shumë i rëndësishëm i KFOR-it sepse kemi patrulla bashkë përgjatë vijës administrative kufitare dhe është me rëndësi, t’i mbajmë këto marrëdhënie edhe sa u përket komunave veriore”.
Federici ka folur edhe në lidhje me kritikat që janë bërë për patrulla të përbashkëta në disa zona kufitare, në disa komuna. Ndër to edhe në Karaçevë.
“E di se në të kaluarën ka pasur disa çështje kundërthënëse. Qëkur kam ardhur mund të vlerësoj se nuk ka ndodhur kurrë do të thosha po ashtu, aksidentalisht, që të kalohet vija administrative kufitare. Ka pasur dyshime në dy raste. Por, kemi mundur t’i identifikojmë se nuk kanë qenë forca serbe, por patrulla të KFOR-it”, tha Federici, i cili ka treguar edhe arsyen pse janë të domosdoshme patrullat e përbashkëta.” Logjika është që të garantohet mostensionimi në vijën kufitare administrative. Meqë ra fjala, këto aktivitete parashihen në Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake apo Marrëveshjen e Kumanovës, ka trup të dedikuar në selinë e KFOR-it që është Këshilli i Përbashkët Zbatues që merret rregullisht me palën serbe, por objektivi apo qëllimi kryesor është stabiliteti përgjatë vijës administrative kufitare. Duhet të them se bashkëpunimi me forcat serbe është mjaft i mirë tani për tani”.
Federici ka folur edhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Ndërlidhës Monitorues (LMT).
“E dini KFOR-i e monitoron gjendjen vazhdimisht në nivel lokal për ta ndier atmosferën lokale, për ta kuptuar nëse ka probleme të caktuara. Siç thashë më herët, siguria është temë shumë e gjerë që ndikohet nga plot e përplot faktorë. Dhe është me rëndësi që KFOR-i ta vëzhgojë në vazhdimësi situatën dhe më lejoni ta theksoj edhe rolin e rëndësishëm, shumë të rëndësishëm të Ekipit Ndërlidhës Monitorues (LMT), që janë vazhdimisht në terren. Flasin rregullisht me njerëzit, me kryetarë të komunave dhe kjo është mënyra për ta kuptuar dinamikën në terren dhe të jemi të informuar rreth problemeve dhe telasheve”, tha Federici.
-
8 qershor 2021 22:29
-
Shpërndaje në: