Arbëri

Thaçi bën homazhe te varri i Jeronim De Radës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar shtëpinë e kolosit të Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada, si dhe ka bërë homazhe te varri i tij në Maki të Kalabrisë.

Thaçi ka thënë se arbëreshët i kanë dhënë kuptim lëvizjes më të rëndësishme politike dhe kulturore shqiptare, Rilindjes Kombëtare, në krye me kolosin e letërsisë Jeronim De Rada.

“Arbëreshët i kanë dhënë kuptim Rilindjes Kombëtare, në krye me kolosin e letërsisë Jeronim De Rada. Sot, bëra homazhe të varri i De Radës dhe vizitova shtëpinë e tij në Maki, ku takova edhe komunitetin arbëresh dhe Shoqatën Kulturore “Jeronim De Rada”.

Sheshi i Makit vlonte prej gjallërisë dhe të folurës arbërishte. Për kontributin e shquar kulturor, shoqatën “Jeronim De Rada” e dekorova me Medaljen Presidenciale të Meritave”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Jeronim De Rada ka luajtur një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte shumë i madh, kurse tradita poetike e shkruar prej tij vazhdon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe.