Arbëri

Qeverisë s’i interesojnë non-paperat që lidhen me ndryshimin e kufijve

Ekzekutivi i udhëhequr prej Albin Kurtit ka thënë se nuk u interesojnë “non-paperët” për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Se një dokument që lidhet me këtë plan ekziston e ka konfirmuar Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) për agjencinë austriake të lajmeve APA. Por, publikimin e këtij dokumenti ky institucion i BE-së e ka vlerësuar të dëmshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar rreth diskutimeve të kohëve të fundit për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Ekzistimin e një dokumenti, që ka lidhje me “non-paperin” slloven, e i cili parasheh këto ndryshime e ka konfirmuar një ditë më parë Bashkimi Evropian.

KOHA ka pyetur ekzekutivin se çfarë qëndrimi do të mbajë nëse një temë e tillë kërkohet të diskutohet në takimin Kurti-Vuçiq. Në një përgjigje të shkurtër ka thënë se nuk i diskutojnë “non-paperët”.

“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për ‘non-paperët’ mbetet i njëjtë me atë që e kemi deklaruar më herët. As nuk i diskutojmë, e as nuk interesohemi rreth tyre”, thuhet në përgjigje.

Të premten, agjencia austriake e lajmeve APA raportoi se ka marrë konfirmimin nga Këshilli i BE-së mbi ekzistencën e një dokumenti të lidhur me “non-paperin” slloven.

Megjithëkëtë, nga Këshilli i BE-së kanë thënë se ky dokument nuk është publikuar ngase do t’i rrezikonte marrëdhëniet ndërshtetërore.

“Sekretariati i përgjithshëm i Këshillit ka mundur të identifikojë vetëm një dokument që lidhet me këtë fushë. Pas analizës së kujdesshme, me keqardhje ju njoftoj se nuk mund t’u sigurohet qasja, për shkak se një kërkesë e tillë bie ndesh me paragrafin e tretë të nenit të katërt të Rregullores... në të cilën thuhet se institucionet mund të refuzojnë qasjen në një dokument, qasja në të cilin do të dëmtonte mbrojtjen e interesit publik, siç janë marrëdhëniet ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të BE-së dhënë agjencisë austriake, të cilën më pas Këshilli e ka bërë publike.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se Këshilli nuk konfirmon se ka marrë nga Sllovenia një “non-paper”.

“Ajo që ka ndodhur është se gazetari austriak, duke u thirrur në të drejtën për qasje në dokumente, ka kërkuar nga Sekretariati i Këshillit informacione për çfarëdo dokumenti që ekziston dhe që lidhet me temën që ka të bëjë me Presidencën sllovene dhe idenë e ndryshimit të kufijve në rajonin e Ballkanit. Dhe kanë marrë përgjigje se ekziston vetëm një dokument ku referohen tema të tilla, por kjo nuk do të thotë se kanë konfirmuar ekzistimin e dokumentit për të cilin kanë shkruar mediat e ku thuhej se duhet të krijohen shtete etnike më të mëdha të shqiptarëve, serbëve dhe kroatëve në rajonin e Ballkanit për të zgjidhur edhe çështjet e mbetura nga procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë”, thotë Palokaj.

Mirëpo, ai shton se idetë e ndryshimit të kufijve kanë qenë pjesë e bisedimeve.

“Ajo që është e vërtetë është se idetë e tilla kanë qenë në tryezat e bisedimeve dhe ato po qarkullojnë edhe në qarqet ndërkombëtare pa marrë parasysh se a janë apo jo në formën e shkruar”, vlerëson Palokaj.
“Non-paperi” slloven, i cili është publikuar nga mesi i muajit prill, pati trazuar rajonin, ndërkaq tema ka qenë në qendër të vëmendjes te të gjitha shtetet e prekura.

Zyrtarët në vendet e rajonit kanë mohuar ekzistencën e një “non-paperi” të tillë, përveç kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se e ka lexuar atë kohë më parë.

“E kam biseduar me kryeministrin slloven kohë më parë. Kam biseduar në përgjithësi për idetë dhe e kam parë edhe këtë dokument që ka dalë, por s’kam asnjë koment për të”, kishte thënë Rama para dy muajsh në një intervistë televizive.

Pas raportimeve për “non-paperin” e kryeministrit slloven, Janez Jansha, drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohej për vizatim të ri kufijsh në Ballkanin Perëndimor, mediumi slloven “necenzurirano.si” pati publikuar dokumentet në fjalë. Aty ishin tri pika kryesore për zgjidhjen për “Rrugën përpara për Ballkanin Perëndimor”.

Në pikën e parë është përfolur për situatën aktuale. Aty thuhet se çështja kombëtare e serbëve, shqiptarëve e kroatëve nuk është e zgjidhur e se “duke u bazuar në metodat dhe ritmin ekzistues të zgjidhjes së problemit, është e vështirë të imagjinohet një perspektivë evropiane për Serbinë dhe Kosovën, e anëtarësim me të drejta të plota në BE për Bosnjë-Hercegovinën”.

Në pikën e dytë janë theksuar idetë për “zgjidhjen e problemit”.

Gjithçka nis me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, sipas dokumentit në fjalë.

“Në Kosovë, 95 për qind e popullatës dëshiron bashkimin me kombin origjinë. Situata është e ngjashme edhe në Shqipëri. Kufiri në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, de facto, nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës t’i garantohet një status special (sikur modeli i Tirolit Jugor)”, thuhet në pikën “a” të “zgjidhjes”.

Aty më pas kërkohet bashkimi i territorit të Republikës Serbe me Serbinë. “Çështja e kombit serb do të zgjidhej në masë të madhe po qe se bashkohet një pjesë e madhe e Republikës Serbe me Serbinë. Në këtë rast, Serbia do të pajtohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Për kroatët është propozuar bashkimi i kantoneve kroate të Bosnjë-Hercegovinës me Kroacinë dhe sigurimi i një statusi special të pjesës kroate në Bosnjë-Hercegovinë, me modelin e njëjtë sikur të Kosovës.

Te boshnjakët do të sigurohej funksionimi i shtetit të pavarur dhe përgjegjësia e plotë për të. Është përmendur edhe çështja e një referendumi për njerëzit që të zgjedhin mes BE-së dhe një të ardhmeje jashtë BE-së (sikur Turqia).

Pos këtij “non-paperi”, KOHA pati publikuar një tjetër “non-paper” mbi krijimin e një “distrikti autonom të Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Sipas këtij “non-paperi”, Kisha Ortodokse Serbe parashihej të kishte “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të marrëveshjes ligjërisht obliguese, do të obligohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.