Arbëri

Në Kosovë janë kryer rreth 80 mijë vaksinime kundër COVID-19

Descriptive Text

Rreth 80 mijë vaksinime kundër COVID-19 janë kryer në Kosovë që kur ka nisur procesi i vaksinimit, ka konfirmuar menaxheri i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi.

Në një konferencë për media të shtunën, ai ka thënë se vetëm të shtunën në këtë qendër janë kryer 460 vaksinime, ndërsa në nivel vendi 1300.

Sipas Bardhit, në vend ka shkuar në 10 mijë shifra e qytetarëve që kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës.

Kosova deri tash ka pranuar rreth 180 mijë vaksina “Pfizer” dhe “AstraZeneca” nga skema e COVAX-it dhe Bashkimi Evropian. Qeveria ka njoftuar se ka arritur marrëveshje për blerje të 1.2 milionë dozave nga kompania “Pfizer”. Ato pritet të vijnë deri në fund të vitit.

Vaksinat i kanë marrë të moshuarit mbi 65-vjeç dhe njerëzit me sëmundje kronike. Pos tyre është vaksinuar edhe stafi shëndetësor.

Aktualisht janë 1511 raste aktive me COVID-19 në nivel vendi. Deri tash janë regjistruar 107 mijë e 466 raste pozitive me koronavirus. 2244 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit.