Arbëri

E-maili i ish-ministrit Kuçi, që i parapriu lëshimit të lejeve për dy hidrocentrale të KELKOS-it

Descriptive Text

Blerim Kuçi, në kohën kur drejtonte Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, kishte kërkuar nga drejtorët e departamenteve dhe sekretari që të ndërmarrin veprime në funksion të lëshimit të lejeve mjedisore për dy hidrocentralet e “KELKOS”-it” në Grykën e Deçanit. Kjo me arsyetimin e tij se Qeveria rrezikon të shkojë në arbitrazh

Një e-mail i ish-ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, i kishte paraprirë dhënies së lejes mjedisore për dy hidrocentralet e kompanisë KELKOS në tetor të vitit të kaluar. E-maili i ishte drejtuar sekretarit të Ministrisë dhe tre drejtorëve të këtij dikasteri, pas takimit që kishte zhvilluar Kuçi me përfaqësues të kompanisë “KELKOS Energy” më 9 tetor 2020.

Në këtë e-mailin që ka siguruar KOHA, që shkruan se është konfidenciale, ish-ministri u ka shkruar atyre duke thënë se si Qeveri rrezikojnë të shkojnë në arbitrazh nëse nuk marrin “veprime”.

“Me qëllim të shmangies me këtë ballafaqim dhe konsekuencave tjera diplomatike të nivelit të lartë, ministri kërkon nga departamentet përkatëse: Departamenti i Ndërtimit, Departamenti i Mjedisit dhe Ujërave dhe ARPL, të punojnë për përgjigje definitive deri të hënën në orën 10:00 paradite”, thuhet në e-mail.

Kuçi kishte kërkuar që të punohet edhe gjatë ditëve të vikendit pasi, siç shkruan aty, çështja është serioze dhe duhet rezultat final më 12 tetor 2020. Në fund kishte kërkuar nga sekretari që të jetë në dispozicion pasi kërkohet edhe angazhimi i tij.

Për e-mailin KOHA ka provuar që të kontaktojë Kuçin, por ai nuk është përgjigjur.

Lejet për hidrocentralet “Bellaja” dhe “Deçani” të kompanisë “KELKOS” janë lëshuar më 6 nëntor të vitit të kaluar. Vetëm 6 ditë më pas Zyra e Rregullatorit të Energjisë i kishte licencuar për prodhim të energjisë këto dy hidrocentrale për periudhë 40-vjeçare.

Sekretari i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, tani sekretar i Ministrisë së Ekonomisë, Fatos Qerimi, thotë se nuk ka pasur presion për lëshimin e kësaj leje.

“Pas takimit që ka qenë me përfaqësuesit e ‘Kelkos’, që unë s’kam qenë pjesë e takimit, por kam marrë këtë e-mail që të trajtohet çështja në aspektin administrativ që të mos ketë vonesa ligjore, sepse bazuar në Ligjin për ujëra dhe atë për administrim të përgjithshëm janë disa afate kur aplikon pala dhe duhet të kthehet përgjigjja”, ka theksuar Qerimi.

Edhe drejtori i Departamentit të Ndërtimit, Servet Spahiu, mohon se ka pasur presion për punën e tij, ndërsa për departamentet e tjera thotë se nuk ka informata.

“Në departamentin tonë s’ka pasur e në departamentet e tjera nuk e di. Ka lyp informata prej krejtve për procedura, edhe secili i ka paraqitur, na përndryshe i kemi pasur të kryera dhe s’kemi pasur diçka tjetër”, ka thënë Spahiu.

Ndërkohë Kuçi, i cili në ditën e lëshimit të lejes nga ZRRE-ja kishte thënë se nuk di nëse është lëshuar leja mjedisore, kishte reaguar duke shkruar se ai nuk mund të jetë i informuar për të gjitha zhvillimet në Ministri.

Në po atë postim kishte thënë se i ka udhëzuar zyrtarët përkatës që të kthejnë përgjigje në afat kohor të caktuar me ligj, pa predikuar në rezultate.

KOHA gjatë ditës ka provuar që të kontaktojë edhe me drejtorët Muhamet Malsiu dhe ish-drejtorin e ARPL-së, Gani Berisha, por ata nuk janë përgjigjur.

Lejet për këto hidrocentrale dhe hidrocentralet e tjera ekzistuese janë duke u shqyrtuar nga Komisioni për Hidrocentrale i themeluar nga ministri i ri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.