Arbëri

Vëllai i Donjeta Pajazitajt: Sipas pamjeve kur kemi gjetur trupin ka pasur shenja të dhunimit seksual

Vëllai i Donjeta Pajazitajt, Shkëlqim Pajaziti, ka thënë se sipas pamjeve pasi kanë gjetur trupin e së motrës në vitin 2015, ka pasur shenja të dhunimit seksual.

Shkëlqimi thotë se pantallonat e të brendshmet e motrës së tij ishin të dëmtuara, dhe sipas tij, ajo nuk kishte asnjë arsye që të zhvishej apo ta vriste veten në mal.

“Kur është gjetur trupi i Donjetës dhe sipas pamjeve, duket që ajo është dhunuar seksualisht pasi pantallonat e të brendshmet i kishte të dëmtuara sikurse edhe trupin. Ajo s’ka pas asnjë arsye që të zhvishej në mal apo ta vriste veten. Megjithatë, kjo nuk ka arritur të vërtetohet nga obduksioni”, ka thënë Shkëlqimi në “Express” të KTV-së.

I akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj, është shpallur sot fajtor dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi është dhënë në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Naser Pajazitaj është akuzuar se më 9 nëntor të vitit 2015 me armë në mënyrë mizore e kishte privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Sipas aktakuzës së Prokurorisë i pandehuri Naser Pajazitaj akuzohet se në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, në vendin e quajtur te ’’Kroni i Lajthisë” , i akuzuari duke qenë edhe më parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj. Naser Pajazitaj qe dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Pejës, vendim që u vërtetua nga Gjykata e Apelit, por të dy vendimet u anuluan nga Supremja dhe rasti u kthye në rigjykim.

Shkëlqim Pajazitaj ka shtuar se vendimi i sotëm ka qenë shumë i mirë, megjithatë familjarët dëshirojnë të dinë edhe bashkëpunëtorët e tjerë.

“Vendim shumë i mirë. Kemi pas dëshirë me ndodh edhe kjo. Drejtësia e foli të veten. E kemi prit tash e gjashtë vite këtë vendim. Ka qenë rrugëtim i vështirë, sidomos në seancën e parë kur u shpall i pafajshëm. Nga sikleti, nëna ime fitoi sëmundje në ato kohë. Pastaj, kur u dënua në seancën e dytë menduam se përfundoi, por vendimi u prish në shkallën e dytë e tretë. Tani më në fund drejtësia triumfoi. Nuk kemi pas avokat sepse prokurorja e ka udhëheq lëndën. Ia kemi lënë krejt Prokurorisë në dorë. I kemi besuar prokurores. Nuk është ky vendim na ka kënaqur edhe shumë, kemi pritur që të zbulohet arsyeja dhe ndonjë bashkëpunëtor i mundshëm. Ne besojmë që Naseri në atë gjendje nuk ka mundur të jetë vet. Ne jemi te bindur sepse të tregon gjendja e tij. Këtë e them me bindje të plotë. Sepse Donjeta ka qenë 24-vjeçare, e fortë dhe ka mundur ta sfidojë Naserin në atë gjendje”, shtoi Pajazitaj.

Ai thotë se motra e tij ishte shoqe e ngushtë me vajzën e dorasit për 13 vite, megjithëse ky i fundit asnjëherë nuk e ka pranuar që e ka vrarë Donjetën.

“Donjeta ka qenë shoqe e ngushtë me vajzën e të dënuarit për 13 vite. Ai asnjëherë nuk e ka pranuar që Donjeta ka hip në veturën e tij. Në ato gjashtë javë sa ka qenë e zhdukur kemi pas shumë marrëdhënie të mira, ai vinte te ne për të pyetur rreth të rejave të fundit. Po ju tregoj edhe një fakt. Kur u zhduk Donjeta, ne kemi lajmëruar vetëm dy vëllezërit e babait të cilët gjenden në Pejë, askujt tjetër. Naseri ka ardhur në shtëpi dhe e ka ditur që ajo është e zhdukur, pa e informuar ne dikë afër. Por atëherë nga hutimi i madh, nuk kemi arritur ta kuptojmë këtë fakt”, rrëfeu Shkëlqim Pajazitaj në “Express”.