Arbëri

Punëtorët e ATK-së u japin një javë kohë institucioneve të reflektojnë, përndryshe futen në grevë

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur grevë 1-orëshe të enjten, kohë gjatë së cilës janë ndaluar shërbimet për tatimpaguesit, në shenjë pakënaqësie për “kushtet e punës, statusin e agjencisë” e të tjera.

Nga ATK-ja kanë paralajmëruar një afat kohor prej shtatë ditësh që nga organet kompetente të marrin përgjigje për kërkesat e tyre, përndryshe kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme.

Sekretarja e Sindikatës së Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, Arlinda Bajraj, e ka quajtur diskriminim të stafit të punëtorëve në ATK mosfutjen në pakon për mbështetje financiare.

Bajraj në Express Intervistë ka sqaruar më në hollësi për problemet me të cilat ballafaqohen zyrtarët e ATK-së.

“Kushtet e punës kanë të bëjnë me regjionet e ATK në Prishtinë, me objektin e Gërmisë ku është qendra e tatimpaguesve, qendra e thirrjeve, regjioni i Prishtina 1 dh e 2, që punojnë në aspak kushte të një zyrtari. Përveç që ka zyre që nuk ka as zyra, është e stërngarkuar me dosje. Pastaj kur ka vërshime ka momente kur ka rrjedhje të shiut nëpër zyra. Ka qenë një nga kërkesat më të zëshme kur objekti i Gërmisë është në pronësi të komunës dhe ka dy muaj kur kemi pranuar një email se duhet të lirohet dhe nuk kemi marrë një konfirmim se ku do të adresohet stafi jonë”, ka thënë ajo.

Kalimin në agjenci me status të veçantë, ajo ka thënë se po e kërkojnë për të pasur rregullim ligjor.

“Qëllimi jonë që të kalojmë në agjenci me status të veçantë, nuk është për përfitime, por për rregullim ligjor që ka trajtim të ndryshëm. Nuk duam të etiketohemi me institucione të tjera”, ka shtuar ajo duke shtuar se kërkojnë të mos trajtohen me agjenci të tjera që kanë 20-30 punëtorë derisa ATK-ja i ka rreth 850.

Bajraj ka treguar se jo rrallë inspektorët e ATK-së përballen me rreziqe gjatë punës në terren.

“Puna e ATK ka edhe rreziqe sepse zyrtari apo inspektori shkon direkt në kuletën e biznesit dhe dihet se derisa vendosë shumat e gjobave, ndoshta jo për të gjithë tatimpaguesit është e pranueshme ajo gjobë dhe mund të pasoj me fyerje apo kërcënime”.

Më 27 maj do të jetë afati i fundit kur Sindikata e ATK-së pret reflektim para se të futet në grevë të përgjithshme.

“Kemi respektuar të gjithë hapat për të mos kemi shkelje ligjore, kemi njoftuar se sot do jemi në grevë. Kemi një afat prej 7 ditësh që presim reflektim të organeve kompetente dhe një ftesë për takim për realizimin e kërkesave tona. Nëse deri më 27 të këtij muaji nuk kemi reflektim apo përgjigje, ne do të vazhdojmë me grevë të përgjithshme në të gjitha institucionet tona të administratës”, ka përfunduar Bajraj.