Arbëri

KEDS ankohet në vendimin e gjykatës për rastin e kthimit të punë të ish-punonjësve

Descriptive Text

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike, përmes një komunikate dërguar mediave, ka sqaruar se e ka kundërshtuar në gjykatë vendimin e Inspektoratit të Punës, që ka vendosur në favor të ankesës së Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar për këtë çështje.

KEDS e konsideron vendimin e Inspektoratit të Punës “kapërcim të kompetencave që i njeh Ligji”.

“Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” po kërkon nëpërmjet përmbaruesit dhe gjykatës (Aktvendimi C. P. nr. 3086/16 të datës 16 shkurt 2017, publikuar në media) që të ekzekutojë vendimin e Inspektoratit të Punës. KEDS po e kundërshton në gjykatë edhe kërkesën për ekzekutim. Ne jemi të gatshëm që ta ndjekim procesin deri në Gjykatën Kushtetuese nëse kjo do të jetë e nevojshme për të mbrojtur të drejtat tona të ligjshme. Ne besojmë se KEDS ka vepruar në përputhje të plotë me kërkesat e ligjeve të zbatueshme në Republikën e Kosovës kur ka mbyllur departamentin dhe pozicionet e tepërta të punës, që sollën ndërprerjen dhe mos-ripërtëritjen e kontratave të një numri punonjësish”, thuhet në këtë komunikatë.

Ky vendim, sipas KEDS-it, nuk ishte aspak vendim i lehtë, “por kjo ishte e domosdoshme dhe ne bëmë sa ishte e mundur për të zbutur pasojat, dhe në të njëjtën kohë jemi të bindur se nuk shkelëm asnjë nga të drejtat e punonjësve”.

“E ritheksojmë edhe një herë, se rasti i ankesës së punëtorëve është duke u shqyrtuar nga gjykata kompetente, dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që mos të bëjnë deklarata të pabazuara që mund ta lajthisin opinionin”, potencon KEDS-i në komunikatë.

“KEDS beson në sistemin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të mos komentojë rreth këtij rasti, duke respektuar dhe mos-interferuar në sistemin e drejtësisë”, përfundon reagimi i KEDS-it.