Arbëri

37,000 persona janë vaksinuar deri më tani në Kosovë

Në tërë Kosovën janë vaksinuar deri më tani 37,000 persona me vaksinat anti-COVID, AstraZeneca dhe Pfizer.

Kështu ka bërë të ditur koordinatori i qendrës së vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, sipas të cilit, vetëm gjatë ditës së shtunë, në këtë qendër janë vaksinuar 165 persona, ndërkaq në tërë Kosovën janë vaksinuar 2,100.

Bardhi ka thënë se gjatë ditës së shtunë, janë duke u vaksinuar vetëm personat e moshës mbi 65 vjeç, të cilët kanë aplikuar në e-Kosova dhe të cilët janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Janë duke u vaksinuar vetëm personat e kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe të regjistruar në platformën e- Kosova. Kemi pasur raste edhe të personave të paregjistruar në këtë platformë që kanë kërkuar të vaksinohen por në qendrën “1 Tetori” nuk është dhënë asnjë vaksinë jashtë listës së kontaktuar nga Ministria”, ka thënë Bardhi.

Ndërkohë, gjatë ditës së premte, te kjo qendër vaksinimi ishin shkaktuar tollovi të shumta si pasojë e fluksit të madh të pensionistëve të cilët kishin shkuar për tu imunizuar, ndonëse shumë prej tyre nuk kishin aplikuar paraprakisht dhe as nuk ishin kontaktuar nga MSH-ja.

Kosova deri më tani është duke e vaksinuar popullatën e saj me dy lloje të vaksinës, AstraZeneca e cila ka ardhur përmes programit COVAX dhe Pfizer e cila ka ardhur si donacion nga Bashkimi Evropian për Kosovën.