Arbëri

Familjarët kërkojnë drejtësi për masakrat e kryera në katër fshatra të Pejës

Pllaka përkujtimore në fshatin Qyshk të Pejës, të premten është mbushur sërish me lot e lule në përkujtim të 47 burrave të vrarë para 22 vjetëve nga forcat ushtarake serbe. Edhe këtë 14 maj, për të 22-n herë rresht, fytyrat dhe emrat e martirëve të gdhendur në atë pllakë, prekeshin e putheshin nga familjarët e ngushtë, me dhembjen që, sipas tyre, çdo vit po shtohet gjithnjë e më tepër. Këtë dhembje po ua shton familjarëve edhe kalimi i viteve njëri pas tjetrit pa dhënë kush përgjegjësi e pa u dënuar.

“Sot, para 22 vjetëve, ka qenë njëjtë ditë e premte. Ata kanë shkuar të gjithë për një liri. Sot, pas 22 vjetëve, ne po duam drejtësi. Tjetër gjë s’po duam. E drejtësi s’ka ende”, shprehet me lot e me mllef Hatmone Gashi nga Qyshku, e cila në këtë masakër ka humbur burrin dhe dy kunetërit e saj.

Mërzinë asaj ia shton edhe ikja e dy djemve të saj jashtë vendit. Dhe për mungesën e drejtësisë për masakrat dhe ikjen e të rinjve të këtij fshati, ajo e fajëson edhe Qeveritë e deritashme në Kosovën e pasluftës.

“Të huajt na ndihmuan mirë boll, por këta veç për xhepa të vet kanë mendu. Send për popull. Veç këtu sa jetimi ka mbetë, të gjithë e kanë marrë Evropën. E dalim na nënat e shkreta. Qe 22 vjet pa drejtësi. Veç korrupsioni, e gjithkush për gjep të vet. Sot u bëj apel të gjithëve për drejtësi. Boll ma xhepat. Nëse edhe kjo qeveri nuk bën diçka për drejtësi, atëherë edhe pleqtë kanë me lëshu Kosovën”, shprehet 63-vjeçarja Hatmone Gashi.

Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga forcat ushtarake të Serbisë. Pas një sulmi në fshat, të cilin paraprakisht e kishin rrethuar nga të katër anët, forcat serbe përdhunuan, plaçkiten gjithçka që kanë mundur të marrin me vete, dhe para se t’i dëbojnë mbi 400 civilë shqiptarë nga fshati dhe para se ta djegin tërë fshatin, ata i ndajnë burrat në tri grupe, i fusin në tri shtëpia dhe i vrasin. Me qëllim që t’i zhdukin gjurmët e krimit i djegin trupat e tyre.

Gati në secilën shtëpi ka pasur edhe të mbijetuar nga plagët e pësuara.

Prej tri shtëpive, dy janë rrënuar nga pronarët dhe kanë ndërtuar shtëpitë e reja, kurse njëra shtëpi ende ekziston, pasi pronari i saj Demë Gashi, i cili ditën e masakrës nuk ka qëlluar në fshat, e ruan si dëshmi të krimit serb në këtë fshat.

“Po e mbaj për ta kujtuar krimin që ka ndodhë në fshatin tonë. Nuk e kam ndërmend me prish këtë shtëpi. U jemi drejtuar edhe institucioneve përkatëse që me ruajtë këtë shtëpi si dëshmi të krimit serb në Qyshk. Por prej institucioneve nuk ka ardhur kush deri sot qe 22 vjet. Asnjë njeri prej institucioneve nuk ka ardhur me marr nën kujdes. Tash nuk di a me mbajt këtë shtëpi apo me heq këtë shtëpi. Unë nuk po di se çka me ba. Nëse nuk interesohet kush prej institucioneve, atëherë më duhet edhe me rrënu”, thotë Gashi.

E po të njëjtën ditë, më 14 maj të vitit 1999, forcat e njëjta serbe pas fshatit Qyshk, vranë e masakruan edhe 60 shqiptarë të tjerë në fshatrat Zahaq, Llabjan e Pavlan.

Në mesin e qindra familjarëve dhe qytetarëve të shumtë që bënë të premten homazhe në lapidarët dhe varrezat e martirëve në këto katër fshatra, ishte edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cila tha se këto masakra tregojnë fytyrën e vërtetë të Serbisë.

“22 vjet më parë shteti serb ka kryer akte te gjenocidit në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe në Llabjan. Ka vrarë mbi 100 qytetarë dhe civilë të pafajshëm e të paarmatosur. Kjo tregon për fytyrën e vërtetë të Serbisë dhe për gjenocidin që e ka kryer në Kosovë mbi popullin e Kosovës, duke mos i kursyer as gratë, fëmijët e pleqtë. E deri më tash nuk ka pasë drejtësi për këto masakra, të cilat i ka kryer shteti i Serbisë”, tha Konjufca për KOHËN. Ai u tregua kritik ndaj institucioneve. Tha se deri tash kurrkush nuk është marrë seriozisht me krimet e luftës dhe me kriminelët serb.

“Prandaj, është detyrë e institucioneve të Kosovës që sa më parë t’i mbledhin të gjitha provat, për të gjitha këto masakra që kanë ndodhur në Kosovë, si dhe që të jenë pjesë e ndërtimit të argumenteve të padisë, e cila do t’i bëhet Serbisë”, u shpreh Kunjufca, pasi bëri homazhe në lapidarin e martirëve në Qyshk.

E përveçse ende nuk ka drejtësi për të vrarët, disa familjarë të martirëve në Qyshk, e konsiderojnë padrejtësi edhe shpalljen dëshmorë të disa martirëve në Qyshk, ndonëse të njëjtit janë vrarë në të njëjtat shtëpi bashkë me të tjerët. Por siç thotë njëri prej këtij fshati, kjo ka shkuar me të njohshëm, por emrat se cilët martirë janë shpallur dëshmorë dhe kush i ka shpallur, ai nuk tregoi. Dhe kjo ka ndodhur, sipas tij, që familjet e tyre të marrin dyfishin e mjeteve në muaj nga shteti sesa që marrin familjet e martirëve.

Për krimet në këto fshatra janë akuzuar pjesëtarët e ish-Aradhës Ushtarake Territoriale 177 të Ushtrisë së Jugosllavisë, të njohur me emrin “Shakali” (Çakejtë). Prokuroria serbe kishte akuzuar 11 prej tyre për krime lufte të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaç, Llabjan dhe Lybeniq. Nëntë prej tyre, në vitin 2014 janë dënuar nga dhoma e veçantë për krime të luftës në Gjykatën e Lartë të Beogradit me gjithsej 106 vjet burg, për vrasjen e të paktën 118 civilëve shqiptarë të Kosovës. Por, në vitin 2015, Gjykata serbe e Apelit e rrëzoi atë vendim dhe e dërgoi çështjen për rigjykim, i cili ka filluar në vjeshtën e vitit 2018.