Arbëri

Komisioni për Punë të Jashtme i PE-së miraton raportin e Lunaçekut për Kosovën

Descriptive Text

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot një raport të hartuar nga zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, dhe raportuesja për Kosovën në PE, Ulrike Lunaçek, i cili i referohet progresit të Kosovës drejt BE-së.

Pas votimit, Lunaçek tha se vota e sotme dërgon edhe një sinjal të fuqishëm se e ardhmja e një Kosove të pavarur shtrihet në Bashkimin Evropian.

“Vetëm edhe pak hapa kanë mbetur deri në liberalizim të vizave. Raporti inkurajon të gjitha palët politike në Kosovë që të vazhdojnë të punojnë për Kosovën në një mënyrë konstruktive dhe me frymë evropiane”, ka thënë Lunaçek, raporton Koha.net.

Ajo tha se dy pikat e mbetura mund dhe duhet të përmbushen nga Kosova shpejt: “ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi në Kuvend është i detyrueshëm”.

“Dhe natyrisht, qeveria e Kosovës duhet të përmbush edhe kushtin e dytë – dënimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar – ka pasur progres të mirë, por qeveria duhet të garantojë progres të mëtejmë”, ka theksuar ajo.

Lunaçek tha se aspektet pozitive të vitit të kaluar kanë qenë hyrja në fuqi e MSA-së dhe marrëveshja kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së.

Ajo përmendi edhe njohjen e fundit shtetësisë së Kosovës nga ana e Bangladeshit, duke çuar kështu numrin e shteteve anëtare të OKB-së që e kanë njohur Kosovën në 114, “që është një shumicë e mirë e 193 shteteve anëtare të OKB-së”.

“Kjo do të duhej inkurajuar të tjerët,e në veçanti pesë shtetet anëtare të BE-së që ende s’e njohin, të ndërmarrin këtë hap. Raporti thekson se njohja do të sillte përfitime në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe po ashtu do të inkurajonte një qasje pozitive për sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në organizata ndërkombëtare”, shtoi ajo.

“Veç kësaj, raporti im kërkon vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës si dhe zbatim të shpejtë të përkushtimeve të arritura dhe pajtuara sipas parimeve të fqinjësisë së mirë. Në këtë kuptim, zbatimi i kohës së fundit i marrëveshjes së arritur në dialog për kodin telefonik të Kosovës është një hap përpara. Megjithatë, zbatimi ende po çalon në kadastër dhe energji nga ana e Serbisë, dhe për asociacionin e komunave serbe nga ana e Kosovës. Raporti gjithashtu kërkon nga liderët e komunitetit serb të Kosovës që të marrin përgjegjësi për pozitat dhe rolet e tyre në institucionet e Kosovës, të veprojnë të pavarur nga Beogradi. Dërgimi i trenit nacionalist nga Beogradi në Kosovën veriore është kritikuar ashpër”, ka thënë mes tjerash Lunaçek.

“Raporti po ashtu përfshin thirrje për progres në zbatim të ligjit dhe liri të mediave, si dhe kërkon t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së sulmeve kundër gazetarëve dhe që përgjegjësit të sillen para drejtësisë”, shton Lunaçek.

Raporti është miratuar në Komitetin për Punë të Jashtme me 40 vota pro, 12 kundër dhe 5 abstenime, që i bie 3 vota më shumë pro sesa më 2016. Parlamenti Evropian planifikon të votojë raporti në seancën plenare të muajit prill.