Arbëri

Qindra ankesa në OSHP-në jofunksionale, tenderët rrezikojnë të nënshkruhen pavarësisht shkeljeve

Ka më shumë së një muaj që Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord funksional. E ndërkohë janë pranuar afro 200 kërkesa, të cilat nuk mund të trajtohen pa zgjedhjen e bordit të ri. Sipas njohësve të prokurimit, tenderët për të cilët ka ankesa të dorëzuara, rrezikojnë të nënshkruhen pavarësisht shkeljeve të pretenduara për shkak të kalimit të afateve ligjore. Në Qeverinë Kurti, që ende nuk i ka dërguar në Kuvend emrat e kandidatëve, thonë se një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti Saranda Ramaj

Janë bërë më shumë se 40 ditë prej kur Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa asnjë anëtar të Bordit. Rreth 200 ankesa për tenderë gjatë kësaj kohë janë adresuar në këtë institucion, por asnjëra pre tyre nuk mund të marrë përgjigje pa u zgjedhur bordi i ri. Për pasojë, ekziston rreziku që një pjesë e këtyre ankesave të mos marrin kurrë përgjigje dhe tenderët të nënshkruhen pavarësisht shkeljeve të pretenduara.

Një gjë e tillë, sipas Agon Hysajt, hulumtues në Demokraci Plus, mund të prodhojë pasoja të tjera në të ardhmen.

“Kur është formuar Bordi i ri, me një konkluzion është vendosur që të gjithë ankesat të mos shqyrtohen për shkak se ka kaluar afati ligjor për të marrë vendim. Po të përdoret prapë i njëjti precedent..., nëse me një vendim vendoset që ankesat nuk trajtohen për shkak se ka kaluar afati ligjor atëherë në të ardhmen autoritetet kontraktuese mund të thonë që unë e nënshkruaj vetë kontratën pasi nuk kam vendim nga OSHP-ja”, ka thënë ai.

Ligjërisht, Qeveria e Kosovës duhet të dërgojë nga dy emra në Kuvend për pesë anëtarë të Bordit, e pastaj Kuvendi t’i vazhdojë procedurat e tjera.

“Kryetari dhe anëtarët e KRPP-së propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi. Gjatë propozimit të personave në fjalë, Qeveria duhet t’i respektojë kërkesat për anëtarësim, të specifikuara në paragrafin 3. dhe 4. të këtij neni”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 89 të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Qeveria dhe Kuvendi duhet të sigurojnë që çdo person i propozuar për anëtar të KRRP-së të përmbushë njërin nga kriteret në vijim: (i) ai të jetë jurist, ekonomist ose profesionist tjetër me diplomë universitare dhe përvojë të konsiderueshme në prokurim ose përvojë tjetër përkatëse, ose (ii) ai të ketë diplomë universitare në fushën e inxhinierisë ose arkitekturës dhe përvojë të konsiderueshme në ekzekutimin e projekteve të punëve”, thuhet në këtë ligj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përmes një përgjigje me shkrim, ka thënë që një gjë e tillë do të ndodhë se shpejti.

“Si rezultat i ndërrimit të shpeshtë të qeverive dhe shpërndarjes së Kuvendit në vitin që lamë pas procesi i rekrutimit për anëtarë të Bordit të OSHP-së nuk është finalizuar. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e funksionalizimit të Bordit sikurse edhe për implikimet në rast të vonesave. Andaj, kjo çështje do të trajtohet me urgjencë ditëve në vijim”, ka thënë Kryeziu.

Isuf Zejna ka monitoruar gjatë Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe, sipas tij, plotësimi i Bordit të OSHP-së është dashur të ishte prioritet për Qeverinë Kurti.

“Sipas informatave që kam, Qeveria ka qenë e njoftuar për nevojën e propozimeve të këtyre emrave. Ajo çka mendoj se është diskutabile këtu është çështja e përzgjedhjes se emrave me kredibilitet dhe personave që janë profesionistë për t’u emëruar në këtë institucion, për shkak të rëndësisë së madhe të OSHP-së. OSHP-ja është institucion që vendos për ankesa dhe vendimet e tyre janë të ekzekutueshme, përmes gjykatës ato nuk mund të ndërrohen”, ka thënë Zejna.

OSHP-ja ka mbetur pa bord prej 31 marsit. Paraprakisht janë hapur dy konkurse për zëvendësimin e anëtarëve të saj. Proceduralisht një ankesë që nga data e pranimit në OSHP duhet të marrë përgjigje brenda 34-ditësh.

Në vitin 2016, kur OSHP-ja pati mbetur pa bord rreth 6 muaj, të gjitha ankesat që nuk kishin marrë përgjigje brenda kësaj periudhe nuk ishin trajtuar fare nga bordi i ri, ndërsa tenderët pavarësisht shkeljeve ishin nënshkruar.