Arbëri

Dialogu, çështja kryesore për avancim drejt BE-së

Dialogu me Serbinë po konsiderohet çështja kyç për avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian, gjë që u konfirmua edhe në një “non-paper” të përgatitur nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian, të cilin e ka publikuar “Koha Ditore”. Njohës të zhvillimeve thonë se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin për arritjen e marrëveshjes, duke shtruar edhe kërkesa në drejtim të BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave dhe anëtarësim në këtë mekanizëm

Kërkesat për vendosjen e Ballkanit Perëndimor në radarin e Bashkimit Evropian po shihen si mundësi që duhet shfrytëzuar në përshpejtimin e rrugës evropiane të Kosovës. Në një “non-paper” të përgatitur nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian, të cilin e ka publikuar “Koha Ditore”, kërkohet që të shfrytëzohet viti 2021 për të forcuar angazhimin e BE-së në rajon.

Kur vjen puna te Kosova është sugjeruar shfrytëzimi i momentumit për arritjen e një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse.

Njohësi i integrimeve, Demush Shasha, ka thënë se dialogu është faktor kryesor për përparim në integrim. Sipas tij, mesazhi i parë që përçohet nëpërmjet këtij dokumenti është rëndësia që Bashkimi Evropian ta mirëmbajë lidershipin në Ballkan karshi tentativës për rritjen e ndikimit të Kinës dhe Rusisë.

“Mesazhi i dytë që na përket neve si Kosovë, përsëritja e asaj që ka thënë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrel, gjatë vizitës së Kurtit në Bruksel, se dialogu me Serbinë është faktor kyç për avancimin e rrugës evropiane të Kosovës që përfshin statutin e vendit kandidat. Po ashtu, duhet të përfshihet liberalizimi i vizave dhe njohja nga pesëshja e BE-së. Pra, rruga e vetme që na dërgon drejt BE-së është marrëveshja me Serbinë”, ka thënë Shasha.

Në dokument thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së do të vazhdojë ta udhëheqë dialogun, ndërsa nga Kosova dhe Serbia pritet ta shfrytëzojnë rastin për të arritur marrëveshje, pasi në të dyja vendet ka “liderë me mandate të qarta”.

“Duke pasur parasysh se edhe në Serbi e edhe në Kosovë ekziston një lidership me mandat solid nga elektorati, ata duhet ta shfrytëzojnë rastin për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit. Asnjëra palë nuk ka kohë për të humbur”, thuhet në dokument.

Shasha vlerëson se pala kosovare duhet të jetë aktive në shtrimin e kërkesave karshi Bashkimit Evropian.

“Pala e Kosovës duhet t’i bëjë të qarta pritjet nga dialogu, sa ka fuqi ta bëjë këtë nuk kisha thënë shumë. Por, nuk ka asgjë të gabueshme të thuhet se cilat janë përfitimet që presim nga ky proces si palë e barabartë. Tani ndoshta është koha ideale, sepse për herë të parë që nga nisja e dialogut kemi një përfaqësues, i cili është në gjendje që të garantojë ratifikimin e marrëveshjes së mundshme me Serbinë. Pra, për herë të parë kemi një përfaqësim që garanton suksesin e marrëveshjes përfundimtare. Dhe në mënyrë legjitime t’i bëjë të qarta kërkesat e Kosovës në kuadër të procesit”, ka potencuar Shasha.

“Non paperi” rekomandon që të mos provohet me alternativa që nuk nënkuptojnë anëtarësimin e plotë të vendeve të rajonit në BE.

Po ashtu, aty kërkohet që “me urgjencë” të trajtohet nga shtetet anëtare liberalizimi i vizave për Kosovën. Në dokumentin prej 6 faqesh flitet edhe për nevojën që të shfrytëzohet gatishmëria amerikane për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian në rajon, si dhe tërhiqet vërejtja se SHBA-ja kërkon edhe lidership të BE-së dhe rezultate konkrete.

Para këtij “non-paperi”, së fundi kanë qarkulluar edhe dy dokumente të tjera jozyrtare ku njëri flet për ndryshim kufijsh e tjetri për krijimin e distrikteve autonome brenda Kosovës. Ato janë refuzuar nga partitë në pushtet dhe opozita.

Ndërkaq, në programin e Qeverisë 2021-2025 është përmendur njohja e pesë vendeve të Bashkimit Evropian në kontekst të dialogut.

“Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale, përveç çështjeve ndërshtetërore, do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe garancinë për anëtarësim në OKB”, shkruan në program.