Arbëri

S’ka kthim të reciprocitetit e as rishikim të marrëveshjeve të Brukselit

Descriptive Text

Qasje ndryshe ka aplikuar Qeveria aktuale në pjesën e programit që flet për dialogun me Serbinë, krahasuar me programin e Qeverisë Kurti 1. Reciprociteti me Serbinë, rishikimi i marrëveshjeve të Brukselit, miratimi i një rezolute për dialogun në Kuvendin e Kosovës nuk janë përfshirë në programin e miratuar të premten, në të cilat insistonte Kurti sa nuk ishte kryeministër

Qeveria Kurti 2 e ka tkurrur në vetëm dy paragrafë pjesën që flet për dialogun me Serbinë, ndryshe prej programit të Qeverisë Kurti 1.

Reciprociteti ka qenë kryefjala e përdorur gjatë Qeverisë Kurti 1 në raport me fqinjin verior dhe madje pjesë e programit qeverisës. Por tani nuk është përfshirë në program.

Lëvizja Vetëvendosje pati premtuar edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit rikthimin dhe madje fuqizimin e kësaj mase, ashtu siç ishte edhe plani i Qeverisë Kurti 1.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut dhe në frymën e parimit të reciprocitetit. Dialogu do të zhvillohet për çështjet e raporteve dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, suksedimit të ish-Federatës jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstituiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis shteteve”, thuhej në programin e Qeverisë Kurti 1.

Ndërkaq në programin 2021-2025, siç shkruan aty, Qeveria angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe.

“Qeveria e Kosovës angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe. Dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut politik. Marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga suksesioni i ish-Federatës jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv”, shkruan në programin e miratuar të premten e kaluar.

Në programin e vitit të kaluar shprehej përcaktimi se temë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jenë çështjet që lidhen me integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, me rregullimin dhe funksionalitetin e brendshëm të vendit.

Po ashtu, përjashtohej mundësia e krijimit të një pushteti të tretë administrativ për vendbanime me popullsi të veçanta etnike, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, që tani nuk është përfshirë në program. Ky rrezik është paralajmëruar si pasojë e kërkesës së serbëve për themelimin e Asociacionit, duke marrë për bazë vetëm marrëveshjet e Brukselit, por jo edhe aktgjykimin e Kushtetueses.

“Krijimi i një pushteti të tretë administrativ për vendbanime me popullsi të veçanta etnike është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht nuk do të përkrahet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhej në program.

Qeveria heq dorë nga rishikimi i marrëveshjeve të Brukselit

Në programin e ri më nuk kërkohet as rishikim i plotë i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe shtrimi i tyre në tavolinën e dialogut.

Kosova dialogon me Serbinë prej vitit 2011 dhe janë rreth 33 marrëveshje të arritura. Por shumë prej tyre ende nuk kanë gjetur zbatim në terren, përfshirë atë për lëvizjen e lirë në veri dhe hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Edhe në fushën e arsimit Serbia nuk ka treguar gatishmëri për të ndihmuar studentët, përmes zbatimit të marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve. Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia.

Reciprociteti ka munguar edhe në zbatimin e Marrëveshjes për targat.

Në programin e Qeverisë Kurti nuk përmenden as zotimet e Uashingtonit, për të cilat ambasadori amerikan Philip Kosnett tha se i njeh edhe administrata Biden. Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar vazhdimisht marrëveshjen e zotimeve të Uashingtonit e cila u arrit shtatorin e vitit të kaluar gjatë udhëheqjes së Avdullah Hotit. Dy pikat kryesore për të cilat ka shprehur mospajtim Kurti është ujdia për ndarjen e përbashkët të Liqenit të Ujmanit pasi të jetë bërë një studim fizibiliteti nga amerikanët, si dhe pika për Mini Schengenin.

Mungesa e Rezolutës/Platformës

Premtim i Qeverisë dhe zotim nga programi i Qeverisë Kurti 1 ka qenë miratimi i një rezolute/platforme për dialog në Kuvendin e Kosovës, me synim arritjen 2/3 të votave, e cila do të përfshijë parimet, në bazë të të cilave duhet të zhvillohet dialogu. Platformën e ka përmendur edhe presidentja Vjosa Osmani, por që në programin qeveritar nuk është përfshirë.

Tani, për këtë proces Qeveria zotohet të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë, teksa synon t’i ftojë të gjitha partitë politike, si dhe të angazhojë ekspertë për të kontribuuar në dialog.

Por zyrtarë të opozitës kanë thënë se nuk është e nevojshme që patjetër të jenë pjesë e delegacioneve në dialog me Serbinë.

“Opozita duhet të jetë e informuar, pjesë e debatit të brendshëm me qenë pjesë e debatit edhe me dyer të mbyllura pse jo kur ka nevojë, por përgjegjësia duhet me qenë e adresuar tek ata që ua ka dhënë Kushtetuta e Kosovës të drejtën të na përfaqësojnë”, ka thënë deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Ai është skeptik për arritjen e një marrëveshjeje pa ndërhyrjen e BE-së dhe ShBA-së.

“Dialogu tani është i shumanshëm, është dialogu me BE-në dhe dialogu me Serbinë. Unë jam shumë skeptik që mund të arrihet ndonjë marrëveshje e shpejtë me Serbinë, pa e parë një shtytje të madhe të BE-së dhe ShBA-së. Sidoqoftë ne duhet punojmë dhe Qeveria duhet të jetë e angazhuar për të bërë politikë shtetërore në raport me dialogun”, ka potencuar Haliti.

Risi në program është synimi që marrëveshja finale krahas njohjes reciproke me Serbinë ta ketë edhe njohjen nga pesë vendet e mbetura të Bashkimit Evropian dhe garancinë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara (OKB).

Programi i Qeverisë u miratua të premten, derisa Qeveria Kurti është votuar në Kuvend më 22 mars. Programi pritet t’i paraqitet për diskutim dhe votim Kuvendit të Kosovës në javën e ardhshme.

Dialog me paqartësi dhe mungesë transparence

Paqartësitë dhe mungesa e transparencës e kanë shoqëruar procesin e deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo u konfirmua edhe pas vizitës së kryeministrit Kurti në Bruksel, prej ku tha se informatat e sakta për dialogun e deritashëm i mori vetëm nga emisari Miroslav Lajçak.

Deklarata e kryeministrit Kurti nxiti reagime të opozitës, përfshirësi paraardhësin e tij në krye të ekzekutivit.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka insistuar se i ka dorëzuar të gjitha dokumentet, përfshirë edhe dakordimet e arritura.

Ndër marrëveshjet e diskutuara që ka përmendur Hoti, por nuk janë bërë publike listohet çështja e të pagjeturve. Ish-Qeveria Hoti pati deklaruar se ka dakordim për këtë pikë, por që asnjëherë nuk është zbardhur.

Temat e tjera të diskutuara gjatë qeverisjes së kaluar janë edhe dëmet e luftës, pensionet dhe kursimet.

Krahas dokumenteve zyrtare së fundi kanë qarkulluar edhe dy non-paperë, ku njëri flet për ndryshim kufijsh e tjetri për krijimin e distrikteve autonome brenda Kosovës. Ato janë refuzuar nga partitë në pushtet dhe opozita.

Dialogu me Serbinë është çështja kryesore e politikës së jashtme që i përshkruhet Qeverisë Kurti dhe kjo u përmend edhe nga vizita zyrtare që kryeministri pati në Bruksel. Më 11 maj BE-ja kishte planifikuar një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, por që është shtyrë për më vonë. Kjo, pasi Kurti deklaroi se nuk është njoftuar paraprakisht për takimin.

Përveç Qeverisë, në procesin e dialogut do të angazhohen edhe ekspertë të jashtëm.

Grupi për Ballkan (BPRG), Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë tashmë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet për angazhimin e tyre.

Sipas këtij memorandumi, ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion kryeministrit, kabinetit të tij dhe zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.