Arbëri

Qeveria kërkon që marrëveshja me Serbinë të përfshijë edhe njohjen nga 5 vendet skeptike të BE-së

Në vetëm tri faqe e ka përmbledhur qasjen e vet ndaj politikës së jashtme kabineti qeveritar, i drejtuar nga Albin Kurti.

Në programin qeverisës, i cili është miratuar të premten, por që nuk është publikuar ende, në terma të përgjithshëm janë përshkruar synimet e ekzekutivit.

Nga tri faqe gjithsej, krejt në fund dy paragrafë janë ndarë edhe për dialogun me Serbinë.

Aty thuhet se Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialog me parime të qarta dhe me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje finale.

Kjo marrëveshje, përveç njohjes reciproke, sipas planit të qeverisë, duhet të përfshijë edhe njohjen nga pesë vendet e BE-së e garancinë për anëtarësim në OKB.

“Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe garancinë për anëtarësim në OKB. Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për temat që duhet të dialogohen. Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë ekspertë të njohur për të kontribuar në këtë drejtim”, thuhet në program.

Përkundër se në shtator përfundon moratoriumi njëvjeçar i vendosur nga marrëveshja e Washingtonit për aplikimin në organizatat ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë plan konkret se si do të angazhohet në këtë drejtim.

“Republika e Kosovës do ta forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Kjo vlen si për përpjekjet për njohje dhe marrëdhënie të ndërsjella diplomatike, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet kulturore, ashtu edhe për të gjithë spektrin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet vendosjes së marrëdhënieve me shtetet jonjohëse. Rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës paraqet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi i fqinjësisë së mirë. Qeveria do të angazhohet për zgjerimin e gamës së organizatave në të cilat është anëtare, avancim në statusin e anëtarit të barabartë brenda organizatave dhe avancimin e interesave shtetërore në kuadër të kornizës institucionale të organizatave, si dhe forcimin e rolit si kontribuues për paqen, sigurinë dhe zhvillimin ndërkombëtar. Thellimi i bashkëpunimit me NATO-n do të arrihet nëpërmjet intensifikimit të dialogut me NATO-n dhe përfshirjes në Partneritet për Paqe”, thuhet më tej në program.

Në kuadër të reformave që thotë se do të bëjë në Politikën e Jashtme, Qeveria planifikon që fillimisht të bëjë një analizë të gjendjes aktuale e rishikim të shërbimit të jashtëm në tërësi.

“Për Politikën e Jashtme është e rëndësishme të bëhet një rikapitulim dhe analizë e sfidave, sukseseve dhe gjendjes aktuale, si dhe rishikim funksional të shërbimit të jashtëm si tërësi. Prandaj, shërbimi i jashtëm i Kosovës do të transformohet gradualisht në mënyrë që të jetë efektiv, duke filluar nga përmirësimi i bazës ligjore, ndërtimi i një akademie të mirëfilltë diplomatike, vënia e diplomacisë ekonomike e kulturore si prioritete të punës së ambasadave të Republikës së Kosovës e deri te përzgjedhja e diplomatëve në bazë të kritereve të matshme të profesionalizmit dhe integritetit. Reforma e shërbimit të jashtëm të Kosovës do të sigurojë shërbim më të mirë për qytetarët jashtë vendit, transparencë, reputacionin më të mirë të diplomacisë, si dhe përfaqësim më të dinjitetshëm të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, sipas programit qeverisës.

Në prezantimin e programit qeverisës, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti tha se si ekzekutiv do të fokusohen në menaxhimin e pandemisë e në lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale, të shkaktuara nga pandemia.

Programi për katër vitet e ardhshme i qeverisë, pritet të që procedohet për diskutim në Kuvendin e Kosovës, javën tjetër.