Arbëri

Basha i quan zgjedhjet “masakër elektorale”, Rama thotë se s’e ka prioritet luftën politike

Descriptive Text

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, i ka quajtur masakër elektorale zgjedhjet e 25 prillit, ku fitues doli për herë të tretë Partia Socialiste e Edi Ramës.

Në një deklaratë për media, Basha ka thënë se partia e tij po mbledh fakte për të treguar manipulimin e votave.

“25 prilli është një masakër elektorale, viktima e së cilës nuk është Partia Demokratike dhe deputetët tanë. Rezultati ynë flet qartë. Besimi, shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht prej rolit të paprecedent të krimit të organizuar dhe parave të pista të krimit dhe siç tha edhe raporti paraprak i OSBE-ODHIR, shkrirjes së vijave ndarëse mes partitë dhe shtetit, nuk ia doli dot të zvogëlonte apo të ulte përmasat e një bashkimi të shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta edhe për kandidatë të PS-së që morën mandatin, që sipas Bashës, i siguruan votat përmes lidhjeve me krimin.

Kësaj i është përgjigjur kryeministri Rama, i cili ka thënë se më s’e ka prioritet luftën politike.

“Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë”, ka shkruar Rama në Twitter teksa theksoi se ftesa për bashkëpunim vijon të ngelet e hapur.