Arbëri

“Non-paperi” e bën Kishën Ortodokse Serbe shtet brenda Kosovës, thonë ekspertët

Descriptive Text

Propozimet që u bëheshin udhëheqësve serbë nga vetë serbët, një vit më parë, në prillin e sivjetmë janë duke qarkulluar nëpër zyra diplomatike të Evropës. Në “non-paperin” që e publikoi “Koha Ditore” në fillim të javës, propozohet një shtresë e mëtejme e autoritetit të pavarur për Kishën Ortodokse Serbe në kuadër të “zgjidhjeve” që jep për marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Për ekspertët e trashëgimisë kulturore, ligjeve e konventave ndërkombëtare dhe politikave rajonale, ky është veç një tjetër rast nëpërmjet të cilit Serbia synon njëfarë shteti serb brenda zonave të veçanta të mbrojtura

Diskutimet se si Kisha Ortodokse Serbe duhet të ketë një lloj statusi “vetëqeverisës brenda sistemit politik të Kosovës”, në prill të vitit të kaluar ishin vënë në letër si këshilla që i jepeshin Qeverisë së Serbisë për dialogun me përfaqësues të Kosovës në Bruksel.

Por, propozimet që u bëheshin udhëheqësve serbë nga vetë serbët, një vit më parë, në prillin e sivjetmë janë duke qarkulluar nëpër zyra diplomatike të Evropës. Janë pjesë e “non-paperit” që e ka publikuar KOHA në fillim të javës. Redaksia ka marrë “non-paperin” që thuhet të jetë i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Ambasadat e këtyre dy vendeve në Kosovë kanë mohuar autorësinë, por jo edhe ekzistencën e “non-paperit”.

Për ekspertët e trashëgimisë kulturore, ligjeve e konventave ndërkombëtare dhe politikave rajonale, ky është veç një tjetër rast nëpërmjet të cilit Serbia synon njëfarë shteti serb brenda zonave të veçanta të mbrojtura ku zënë vend objektet e kultit të shfrytëzuara edhe nga serbët lokalë.

Raporti “Trashëgimia kulturore dhe fetare serbe në Kosovë nga zonat speciale të Ahtisaarit deri në statusin përfundimtar”, i përgatitur vitin e kaluar në Beograd, hyrja e Manastirit të Deçanit në listën e “shtatë monumenteve më të rrezikuara të Evropës” nga organizata “Evropa Nostra” qenë edhe si lloje hapash paraprakë si lobim që Kisha Ortodokse Serbe duhet të avancojë në statusin politik dhe juridik brenda Kosovës. Autoritetet kishtare e politike në Serbi, nëpërmjet tyre ngritën alarmin se në Kosovë objektet e kultit, ashtu sikurse komuniteti serb rrezikohen përditë e më shumë.

Paradiplomacia në matje të pulsit

Në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka miratuar Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura. Janë 44 zona të veçanta me gjithsej 2257.17 hektarë nën mbrojtje. Bëhet fjalë për objekte kulti e hapësira arkeologjike që frekuentohen nga besimtarët serbë. Janë të shpërndara gjithandej Kosovës. Zonat e veçanta të mbrojtura përmenden edhe në “non-paperin” për të cilin kanë raportuar edhe mediat prestigjioze gjithandej.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se “non-paperi” ka mbërritur edhe në adresë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Arsim Canolli, profesor i antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës thotë se “non-papers” janë llafe të njohura si “paradiplomaci” e shpikur nga qarqet e BE-së, që zakonisht janë të kriposura për të matur pulsin politik.

“Për të lozuar ‘shkop’ e ‘karotë’ sidomos në prag të negociatave internale”, thotë Canolli. Sipas tij, në këtë rast po përdoret edhe në përgatitje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Por, pavarësisht këtyre letrave të kasnecëve paradiplomatikë, ideja e një specialiteti për Kishën Ortodokse Serbe, ka qenë gjithmonë ‘non-paper’ në korridoret e gjera të diskutimit rreth dialogut me Serbinë. Kjo ‘non-paper’ apo ‘llaf-paper’ që u shpërnda para disa ditësh në publik, nuk është asgjë, pos indicie se edhe statusi i Kishës Ortodokse Serbe do të jetë temë dialogu”, thotë Canolli i cili ka qenë edhe këshilltar i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.

“Jo-letra” siç mund të përkthehet në shqip, propozon një shtresë të mëtejme të autoritetit të pavarur për Kishën Ortodokse Serbe në kuadër të “zgjidhjeve” që jep për marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Kisha Ortodokse Serbe parashihet të funksionojë si “pjesë vetëqeverisëse e sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës, pronësia do të duhej të jetë e paprekshme, dhe do të duhej të gëzonte status të privilegjuar”. Do të qeverisej prej patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Pejës.

“Një gjë e tillë i përafrohet vizionit të Beogradit për një status ekstraterritorial të lokaliteteve të ndryshme të Kishës Ortodokse Serbe, ngjashëm me rregullimet për malin Athos, por të shpërndara nëpër territorin e Kosovës”, shkruhet në artikullin e “Kohës Ditore” me titull “Kosova dhe Serbia do t’ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra-tjetrës”, botuar të martën. Po aty shkruhet se dokumenti jozyrtar nuk përmend fare faktin se Kisha Ortodokse Serbe, lokalitetet, strukturat dhe personeli i saj, tashmë gëzojnë mbrojtjen më të avancuar që mund të merret me mend, në pajtim me dispozitat e dokumentit të Ahtisaarit.

“Këto dispozita janë ngërthyer besnikërisht në legjislacionin e Kosovës. Këtu përfshihet sistemi i zonave nën mbrojtjen speciale përreth trashëgimisë ortodokse serbe”, shkruhet aty.

Canolli thotë se fjalitë e “non-paperit” për statusin e kishave nuk janë të reja. Nënvizon se këto të drejta ekzistojnë brenda Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse të Kosovës, si derivate të Planit të Ahtisaarit.

“Pra, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë njihet si pjesë e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Ajo ka diskrecion të plotë në menaxhimin e punëve të saj, prona e saj është e patjetërsueshme dhe ka status të privilegjuar. Këto i gjeni të gjitha në Planin e Ahtisaarit dhe ligjet që derivojnë nga ky plan, përfshirë dhe zonat e mbrojtura që janë objekt i Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura”, thotë Canolli. Sipas tij, në anën tjetër, me fjalët “palë vetëqeverisëse e sistemit politik të Kosovës” synohet të dilet përtej ligjeve të Kosovës. “Synohet një tip ‘kishë-shteti’ si ai i Athosit, apo siç patën propozuar vitin e kaluar do ‘paper-raporte’ të OJQ-ve në Serbi, atëherë realizimi i këtij propozimi mund të rrezikojë shtetin e Kosovës”, thotë Canolli.

Profesori universitar i referohet raportit 26-faqesh të autorëve Stefan Surliq dhe Igor Novakoviq. Raporti që mban titullin “Trashëgimia kulturore dhe fetare serbe në Kosovë nga zonat speciale të Ahtisaarit deri në statusin përfundimtar” rendit një varg “problemesh të mëdha me të cilat përballen zonat e veçanta të mbrojtura të objekteve të kultit”.

“Është e nevojshme të hapet tema e pozicionit të tyre edhe në vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës” është një prej konstatimeve dhe këshillave që i janë dhënë Qeverisë së Serbisë. Janë raportet zyrtare të shtetit serb për UNESCO-n që ishin marrë si bazë të organizatës “Europa Nostra” që Manastiri i Deçanit të jetë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë, e publikuar më 8 prill;.

Privilegjet “sui generis” të KOS-it

Sali Shoshi i cili udhëheq me fondacionin kosovar “Trashëgimia kulturore pa kufij” (“CHwB Kosova”), thotë se çështja e lirive fetare duhet të jetë e ndarë plotësisht nga çështja e trashëgimisë kulturore. Tregon se Ligji për liritë fetare garanton të drejtën për lirinë fetare dhe të besimit, përfshirë edhe të drejtën organizim fetar. Përmend se gjithashtu, Ligji për pronësinë e rregullon të drejtën pronësore për të gjithë personat fizikë dhe juridikë në Kosovë.

“Në anën tjetër, trashëgimia kulturore e Kosovës duhet të trajtohet përtej aspekteve fetare dhe pronësore. Trashëgimia kulturore është dëshmi historike për të kaluarën njerëzore – ndërveprim të njeriut në mjedisin e vet socio-kulturor përgjatë shekujve. Sot, ato vijnë si forma materiale dhe shpirtërore, si gjuhë, religjion, si dije ose krijim muzikor, si tradita folklorike ose memorie kolektive”, thotë ai. Dhe këto vlera, sipas Shoshit, në bazë të dokumenteve ndërkombëtare u përkasin të gjithëve pa dallim.

Ka thënë se UNESCO-ja e ka krijuar Listën Botërore të Trashëgimisë e cila vlerave kulturore u jep dimensionin e Vlerës Universale të Njerëzimit.

“Në këtë kontekst, vlerat kulturore të krijuara në Kosovë i takojnë të gjithëve dhe sipas nenit 27 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ‘secili ka të drejtë që lirshëm të marrë pjesë në jetën kulturore të komunitetit…’”, ka thënë Shoshi. Në këndvështrimin e tij, çfarëdo tendencë për ta ndarë trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe për krijuar pengesa për ta gëzuar këtë të drejtë, është një kundërshtim me vlerat e shoqërive të përparuara.

“Pra Kisha duhet t’i gëzojë të drejtat e veta si organizim fetar që garantohen me Kushtetutë dhe Ligjin përkatës, ndërsa vlerat kulturore që përfaqësojnë këto kisha dhe manastiret mesjetare janë e drejtë kulturore e të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”, ka thënë prerazi Shoshi.

Në pjesën e parë të prillit, KOHA kishte raportuar se si trashëgimia kulturore përdoret si armë nga Serbia për ndarjen e Kosovës.

Politologu Belul Beqaj, kishte thënë se ato që serbët i paraqesin si probleme të kishave në Kosovë, janë bazë për të shkuar te një tjetër propozim.

“Çështja është mjaft serioze dhe nuk do të ndalen. Vuçiqi e ka synim ndarjen e Kosovës. Ata nuk do të ndalen me këtë. Do të thonë se shqiptarët duan të asgjësojnë të kaluarën e serbëve. Ata janë të tillë. Rrenën mundohen ta bëjnë të vërtetë. Qëllimin përfundimtar e kanë ndarjen e Kosovës”, kishte paralajmëruar Beqaj me bindje.

Në një analizë që i ka bërë “non-paperit”, Marc Weller, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Ndërkombëtare Kushtetuese në Universitetin e Cambridgeit, shkruan se në vend të planeve që dalin nga dokumenti joformal, çështja është se si autoritetet ortodokse serbe mund të inkurajohen butësisht dhe ngadalë, ta pranojnë se jetojnë dhe veprojnë tërësisht të lira në Kosovë. Në analizën e tij për KOHË-n, vjen në përfundim se në fund të fundit, ato do të duhet të punojnë me institucionet e Kosovës për ruajtjen e lokaliteteve të trashëgimisë dhe të siguruarit se ato do të lulëzojnë si pjesë e komuniteteve të tyre lokale, e jo të izoluara.

“Krahas domethënies së veçantë që kanë për komunitetin ortodoks serb, këto lokalitete janë njëkohësisht pjesë e trashëgimisë së Kosovës, popullsia e së cilës po tëhuajësohet gjithnjë e më shumë prej tyre”, ka shkruar Weller, njëherësh autor i librit “Shtetësia e kontestuar: Beteja e Kosovës për Pavarësi”, Oxford University Press, 2009, e që ka shërbyer si këshilltar për Kosovën në negociatat në Rambouillet dhe ato të Ahtisaarit.

Por, perspektiva që ka ai në raport me të ardhmen e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka një oqean në mes, me atë që bëjnë klerikët dhe politika e Serbisë. Klerikët e politika serbe ka dekada që janë në një zë dhe kjo dëshmohet përditë.

Në fillim të këtij muaji abati i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, kishte thënë se autoritetet e Kosovës shpesh veprojnë sikur të jetojnë në një realitet paralel. Ai kishte thënë për mediat serbe se nga njëra anë autoritetet kosovare thonë se ekziston harmoni dhe nuk ka diskriminim ndërfetar dhe ndëretnik ndaj serbëve, kurse në anën tjetër, problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha.

“Vetëm në dy muajt e fundit ka pasur kaq shumë sulme në kishat tona, duke i plaçkitur. Ata nuk mund të shqiptojnë as emrin e Kishës Ortodokse Serbe”, citohet të ketë thënë Janjiqi. Plaçkitjet mbesin çështje deklaratash. Kosova ka Njësit të veçantë police për trashëgiminë kulturore që kujdeset për sigurinë e monumenteve në zonat e veçanta të mbrojtura. Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2004. Më 2006 ky status u shtri edhe në tri monumente të tjera të Kosovës. Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren po ashtu kanë hyrë në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë” e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë.

Profesori Arsim Canolli, i cili ka doktoruar në antropologji në “University College”, në Londër thotë se të drejtat dhe privilegjet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë janë “sui generis”. Bile shkon përtej kësaj.

“Nuk ka vend në botë që mbron një Kishë brenda shtetit siç mbrohet Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë. Është diskriminimi më pozitiv etnik i mundshëm”, thotë ai. Rekomandon që Kosova duhet të shkojë në dialog sa më parë dhe duhet t’u tregojë miqve ndërkombëtare, SHBA-së dhe BE-së se sa shumë ka bërë për garancinë ligjore të Kishës Ortodokse Serbe, kishave dhe manastireve që menaxhohen nga ajo dhe për serbët lokalë që luten aty. Thotë se duhet treguar që këto garanci veçse janë të vendosura në sistemin juridik të Kosovës.

“Nuk besoj se Kisha Ortodokse Serbe ka garanci më të mëdha juridike në Serbi se sa në Kosovë. Qeveria e Kosovës, por edhe Presidenca, nuk duhet të frikësohen, por duhet të jenë shumë më të përgatitura për dialogun me Serbinë, sepse deri më tani nuk kanë treguar përgatitje dhe seriozitet të duhur”, thotë Canolli.