Për 18 vjet janë regjistruar 130 sulme ndaj gazetarëve në Kosovë Foto: Ilustrim

Për 18 vjet janë regjistruar 130 sulme ndaj gazetarëve në Kosovë

21 qershor 2017 15:21

Që nga viti 1999 deri më tani në tërë Kosovën janë hapur 130 raste për kërcënim, sulm, tentim vrasje dhe vrasje ndaj gazetarëve.

Kështu u tha në një konferencë e organizuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Prokurori dhe Koordinatori në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për rastet e gazetarëve, ka bërë të ditur se që nga viti1999 deri më tani janë regjistruar raste të kërcënimit, sulmit apo edhe tentim-vrasje, raporton KP.

Që nga kjo periudhë, sipas Kelmendit, në Prishtinë janë 90 raste, në Pejë 4 raste, në Mitrovicë 16, në Gjilan 9, në Ferizaj 1, ndërsa në Prizren nuk ka pasur asnjë rast.

Kelmendi ka theksuar se një numër i rasteve zgjidhet por ka edhe një numër të konsiderueshëm që ka mbetur pa u zbardhur.

Bashkim Zeqaj, prokuror i caktuar për rastet e gazetarëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka thënë se rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve do të shikohen me prioritet.

“Kemi pasur rritje të rasteve të ngritjes së aktakuzave për kërcënime sulme ndaj gazetarëve. Do t’u rrimë mbi kokë prokurorëve për zgjedhjen e rasteve që kanë të bëjnë me kërcënime ndaj gazetarëve”, ka thënë Zeqaj.

Ndërsa, Vllaznim Surdulli, nga Policia e Kosovës, tha se Policia e mban primatin e transparencës dhe bashkëpunimit me gazetarët.

Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, tha se tek rastet e gazetarëve një prej elementeve është që të gjithë gazetarët që janë kërcënuar, gjëja e parë që duhet të bëjnë është të lajmërojnë Policinë.

“E dyta është që të rritet bashkëpunimi me AGK-në, që të na njoftojnë dhe të adresojmë rastet e tyre”, tha Hysenaj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme