Arbëri

Rënien e testimeve për koronavirus MSH-ja e lidh me muajin e Ramazanit

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Përkundër uljes së numrit të të hospitalizuarve ditëve të fundit, drejtori i SHSKUK-së ka thënë se spitalet e klinikat vazhdojnë të jenë të stërngarkuara, duke thënë se është situatë e njëjtë me vitin e kaluar. Ministria e Shëndetësisë, uljen e numrit të testimeve për COVID-19, e ka arsyetuar me kërkesat e qytetarëve, e që në muajin e Ramazanit janë më të pakta. Uljen e numrit të rasteve pozitive këto ditë e që vërehet edhe me numër më të vogël të testimeve, MSH-ja ia ka atribuuar edhe masave

Muaji i Ramazanit ka ulur edhe numrin e kërkesave për testime për COVID-19 në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Kështu e ka arsyetuar Ministria e Shëndetësisë uljen e numrit të mostrave të testuara ditëve të fundit. Nga mbi 4 mijë teste sa realizoheshin, tani testohen rreth 3 mijë mostra.

Në lidhje me këtë, IKSHPK-ja nuk është përgjigjur, por nga MSH-ja kanë thënë se testimet po bëhen në bazë të kërkesës së qytetarëve.

“Për ta vlerësuar nëse ka rënie apo ngritje të testimeve duhet matur përmes një intervali më të gjatë kohor, jo përmes matjeve 4-5 ditore. Sipas IKSHPK-së, në 28-ditëshin (4-javëshin) e fundit (deri të mërkurën) ka pasur 111.536 testime, ndërsa në 28-ditëshin para këtij të fundit 98.434. Testimet bëhen sipas indikacioneve epidemiologjike, kërkesave që janë për testime dhe gjurmimit të rasteve”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Tutje, nga kjo ministri kanë thënë se edhe ulja e numrit të rasteve pozitive dhe e të hospitalizuarve, vjen edhe për shkak të masave të marra javë më parë.

“Gjatë muajit të Ramazanit ka pasur raportime për më pak interesim edhe nga vetë qytetarët për testime, por megjithatë dhe masat e ndërmarra gjithashtu kanë pasur një efekt në rënien e numrit të rasteve pozitive dhe të spitalizimeve për COVID-19”, është shkruar në përgjigje.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në laboratorin e IKSHPK-së, e në ato private, janë testuar 3 mijë e 252 mostra, prej të cilëve 335 raste kanë rezultuar me COVD-19.

Gjatë kësaj kohe, sipas raportit ditor të Institutit, janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. “Rastet e vdekjes janë nga komunat: Fushë-Kosovë 1 rast (67 vjeç), Gjakovë 1 rast (88 vjeç), Gjilan 1 rast (81 vjeç), Mitrovicë 1 rast (84 vjeç), Novobërdë 1 rast (50 vjeç), Pejë 1 rast (63 vjeç), Prishtinë 1 rast (84 vjeç)”, thuhet në raportin e IKSHPK-së.

Megjithatë, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se edhe pse vërehet një rënie ditët e fundit, klinikat e QKUK-së e spitalet regjionale vazhdojnë të jeni të stërmbushura me pacientë.

“Edhe më tutje gjendja paraqitet e ngarkuar nëpër spitalet dhe klinikat tona. Janë me numër të madh të pacientëve….Edhe pse numri ditëve të fundit është më i vogël, krahasuar me javën e kaluar kur kishim deri në 900 pacientë që merrnin trajtime nëpër spitalet tona, ky numër vazhdon të jetë i lartë dhe klinikat tona janë të stërmbushura me pacientë”, është shprehur Krasniqi.

Qeveria e Kosovës, për shkak të gjendjes së përkeqësuar me pandeminë, vendosi për një mbyllje të pjesshme të vendit për dy javë, derisa nga e hëna këto masa u lehtësuan.

Sipas Krasniqit, varianti i ri britanik ka treguar se është më shpejt i përhapur, por që numri i pacientëve që janë të shtrirë nuk dallon shumë nga viti i kaluar kur ky variant nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë.

“Nëse krahasojmë numrin e të shtrirëve dhe të hospitalizuarve në raport me numrin e atyre që rezultojnë pozitivë nuk ka ndonjë ndryshim të madh krahasuar edhe me vitin e kaluar. Pra, në këtë aspekt nuk është se kemi rritje të numrit të të hospitalizuarve në raport me ata të cilët rezultojnë pozitiv”, u shpreh drejtori i SHSKUK-së.

Gjatë së shtunës në QKUK e në spitale regjionale janë trajtuar 697 pacientë, prej të cilëve 580 të konfirmuar me Sars-Cov-2 pozitivë, 35 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 544 janë nën asistim të okisgjeno-terapisë.

Sipas raportit të SHSKUK-së, në QKUK janë të shtrirë 281 pacientë: 15 prej tyre në gjendje të rënduar, 220 të konfirmuar me Sars-Cov-2 pozitivë dhe 235 me oksigjeno-terapi. E numri i pacientëve të shtrirë, sipas klinikave, është: Klinika Infektive 106 pacientë, klinika Infektive II (Mjekësia Sportive) 58 pacientë, Klinika Infektive III (Interno) 13 pacientë, klinika e Pulmologjisë me 78 pacientë, mjekimi Intensiv COVID-17 pacientë + 4 në Repartin Intensiv në Klinikën Infektive, Klinika e Pediatrisë 8 pacientë, dhe Klinika e Gjinekologjisë, 1 paciente.

Derisa, në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 416 pacientë, 20 prej tyre në gjendje të rënduar, 360 të konfirmuar pozitivë dhe 309 me oksigjeno-terapi.