Arbëri

Gërvalla për hartën me ndryshimin e kufijve: E rrezikshme, në këtë formë cyten konflikte të reja

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka folur për dokumentin që rihapi temën e kufijve në Ballkan të publikuar nga mediumi slloven.

Gërvalla vetëm edhe përmendjen e tezave të tilla që lidhen me hapje të kufjive e ka quajtur tepër të rrezikshëm për rajonin.

Ministrja ka dhënë qëndrim të qartë lidhur me këtë çështje, ndërsa i ka bërë thirrje të gjitha palëve të jenë të kujdesshëm, pasi siç tha ajo, temat e tilla shtyjnë në konflikte të reja në rajon.

“E kemi ndjekur me shumë shqetësim daljen në media të letrave të tilla, të tezave të tilla që edhe vetëm përmendja e tyre është tepër e rrezikshme për rajonin. Në vitin 2018 kemi pasur tendenca për gjetjen e zgjidhjes me shkëmbime të territoreve, në ndarje të vendit në bazë të linjave të vijave etnike. Për ne është shumë e qartë, nuk është asnjë opsion ajo që shkruhet nëpër letra të tilla, pavarësisht ku janë autorët apo a janë menduar thjesht si teza për t’u diskutuar apo implementuar. Shumë i qartë është qëndrimi ynë që e shohim të rrezikshme dhe do të duhet që të gjitha palët të ishin shumë të kujdesshme sepse në këtë formë cyten konflikte të reja, të cilat për rajonin tonë janë krejtësisht të panevojshme”, ka thënë Gërvalla në konferencën e përbashkët me homologun e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë ka pasur spekulime nëse kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, pak muaj para se të marrë kryesimin e Bashkimit Evropian, ia ka dërguar një “non-paper” presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohet për vizatim të ri kufijsh në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe ndarjen e Kosovës.

Fillimisht nga Zyra e Michelit ishte konfirmuar se është pranuar një “non-paper”, por më vonë kjo u mohua. Edhe Jansha kishte thënë se s’është takuar me Michelin dhe “nuk ka mundur t’ia dorëzonte asnjë dokument”. Megjithatë, ai nuk e mohoi në mënyrë kategorike.