Arbëri

Bajrami kritikon Muratin: Ka kthyer tutat kah tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka hedhur kritika ndaj pasuesit të saj, Hekuran Murati, për publikimin e listës së 50 përfituesve më të mëdhenj nga 60 milionë eurot që kishte ndarë Qeveria Hoti për bizneset, bazuar në numrin e punëtorëve.

Bajrami e ka cilësuar këtë si kthim të “tytave kah punëdhënësit/tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit”.

“Ministri i Financave në mungesë të argumenteve për mos vazhdimin e shtesave pensionistëve dhe familjeve në asistencë sociale paska zgjedhë strategjinë e zhvendosjes së vëmendjes diku tjetër, duke publikuar një listë të pjesshme të përfitueseve nga programi i rimëkëmbjes ekonomik të qeverisë së kaluar. Ministër, LDK bizneset nuk i sheh si armiq, as si konkurrentë. LDK i sheh bizneset si kontribuuesit e vetëm të zhvillimit ekonomik, gjenerues të punësimit, burim i të hyrave të buxhetit dhe sektori në të cilin bazohet e ardhmja e këtij vendi. Shpërndarja e 60 milionë eurove vitin e kaluar, ka qenë masa më transparente, më efikase dhe e cila e ka ndihmuar shumë sektorin privat”, ka thënë ajo në një postim në Facebook.

“Sa për krahasim ju dje keni ndarë 6 milionë euro për 8 mijë biznese të gastronomisë dhe të gjithë sektorëve tjerë që janë prekë nga mbyllja. Ministër, 60 milionë euro janë ndarë për bizneset private, me kriterin për kokë të punëtorit. Nga kjo masë kanë përfituar 206,852 punëtorë dhe 36,679 biznese. Në vitin 2021 kemi ndarë edhe 6.4 milion euro të tjera për 22,222 mijë të vetëpunësuar. Këto të dhëna i ka BE, i kanë të gjithë, transparenca ka qenë e plotë. Kjo që publikuat sot nuk është asnjë risi për publikun, përkundrazi është kërcenim për sektorin privat, (shih reagimet e bizneseve)”, ka thënë ajo duke iu referuar listës së publikuar nga Murati në Facebook.

Sipas Bajramit, ministri Murati u ka mbetur borxh këtyre bizneseve duke thënë se duhet të publikohet edhe se sa kontribuojnë ato në buxhetin e shtetit.

Ajo i ka kërkuar Muratit të publikojë edhe listën e 50 top përfituesve të masave të Pakos Fiskale Emergjente të Qeverisë Kurti I.

“Me këtë urrejtje që keni për sektorin privat është mirë të na tregoni si dhe ku do të realizoni punësimin e të gjithë të diplomuarëve, premtim ky i yti i fushatë së fundit”, ka thënë ajo.