Arbëri

Bizneset kërkojnë plan të zbatueshëm të rimëkëmbjes

Foto: Koha

Shfuqizimi i disa masave të Programit të Rimëkëmbjes nga Qeveria Kurti, me arsyetimin se nuk ka ndarje buxhetore për to, ka nxitur reagim nga përfaqësues të bizneseve, të cilët kanë kërkuar që të mos bëhen masa që nuk kanë mbështetje financiare. Ata kanë kërkuar që të ketë masa konkrete që do të ndikojnë në krijimin e vendeve të punës dhe në likuiditetin e ndërmarrjes. Ndërkohë opozita e ka kritikuar Qeverinë për mungesën e një plani, që do t’u dilte në ndihmë bizneseve të dëmtuara nga pandemia

Qeveria Kurti ka hequr dorë nga zbatimi i disa masave të rimëkëmbjes, të miratuara nga Qeveria Hoti, e për të cilat nuk ishte ndarë buxhet. Por, në vendimin e saj nuk ka sqaruar se cilat masa janë shfuqizuar dhe se cilët sektorë nuk do të marrin ndihmën e premtuar.

KOHA ka kërkuar gjatë ditës një sqarim se për cilat masa bëhet fjalë, por që nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Financave.

E përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar nga Qeveria që të ketë plan të rimëkëmbjes, që është i zbatueshëm. Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se edhe më herët kanë kërkuar nga qeveritë që të mos miratojnë masa që nuk kanë buxhet dhe një gjë të tillë po e kërkojnë edhe nga Qeveria aktuale.

“Tani duhet të shikohet mundësia që të ketë masa, të cilat janë të zbatueshme dhe që adresojnë saktë problemin e ekonomisë dhe problemin e bizneseve. Ne kemi problemet ekonomike emergjente të likuiditetit kur po kemi masa kufizuese, por në anën tjetër, kemi me pasë shumë probleme në të ardhmen, sidomos sa i përket së ardhmes së bizneseve dhe sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës dhe besoj që fokusi duhet të jetë aty”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se do të duhej që para se të merren vendimet e Qeverisë së kaluar të analizohet dhe të shqyrtohen mundësitë buxhetore.

Sipas tij, Qeveria duhet që të adresojë menjëherë nevojat e ndërmarrjeve, puna e të cilave është kufizuar gjatë këtyre muajve si pasojë e masave kufizuese.

“Jo të gjitha ndërmarrjet janë goditur njësoj. Duhet të bëhet një vlerësim, të merren të dhënat e ATK-së sa i përket qarkullimit të bizneseve dhe pastaj varësisht nga ndikimi që ka pasur kufizimi i aktiviteteve ekonomike në qarkullimin e ndërmarrjeve të ndryshme, të adresohen nevojat e atyre ndërmarrjeve që janë goditur më së shumti”, ka theksuar Zeka.

E Partia Demokratike e Kosovës thotë se Qeveria Kurti po tregon se nuk ka plan qeveritar e as plan për rimëkëmbjen e vendit.

“Çdo shtet tjetër evropian dhe botëror tashmë ka vepruar dhe ka shpërndarë paketa të tëra masash. Ne ende nuk e kemi planin e Qeverisë, ne nuk e kemi të implementuar ligjin e vitit të kaluar dhe ende nuk e kemi përmbushur planin e Qeverisë së kaluar, pra jashtëzakonisht keq, vonë dhe pa rrugëdalje po ballafaqohen ekonomia e vendit dhe kategoritë ekonomike të sektorit privat dhe publik nga pandemia”, është thënë nga kjo parti.

Ndërkohë ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se shfuqizimi i masave krijon pasoja për bizneset dhe qytetarët.

Sipas saj, fondi i rimëkëmbjes ekonomike, i buxhetuar në Ligjin e buxhetit të vitit 2021 (ligj ky i votuar edhe nga LVV-ja) prej 222.4 milionë eurosh është shpërndarë nëpër sektorë dhe kategori përmes këtij vendimi.

“Ky vendim ka krijuar obligime dhe pritje nga ana e qytetarëve dhe bizneseve. Qeveria duhet të tregojë se çka do të ndodhë me fondet e parapara me këtë vendim për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në shumën prej 45 milionë eurosh. Çka do të ndodhë me fondet e parapara për blerjen e vaksinës”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, vaksina është rimëkëmbja, pa vaksinim të qytetarëve nuk ka rimëkëmbje dhe mbyllja është fatale më shumë se vetë pasojat e pandemisë.

“Mandej çka do të ndodhë me 10 milionë euro që kanë qenë të ndara për punëtoret që kanë humbur vendet e punës. Të gjitha këto dhe masa të tjera Qeveria i ka shfuqizuar pa ofruar asnjë alternativë”, ka pohuar Bajrami.

Në buxhetin e 2021-tës janë paraparë 222.4 milionë euro për rimëkëmbje, prej të cilave janë edhe rreth 125 milionë euro që nuk janë shpenzuar, përfshirë këtu edhe 40 milionë euro të parapara për vaksina.