Arbëri

Sprapsja e Kurtit ndaj Serbisë

Descriptive Text

Para zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti pati thënë se kurrsesi nuk do të jetë çështje muajsh kthimi i reciprocitetit ndaj Serbisë. Por kur është bërë një muaj prejse Qeveria e tij është votuar në Kuvend, një masë e këtillë nuk është vendosur. Në shoqërinë civile e kualifikojnë si mashtrim ndaj elektoratit mospërmbushjen e këtij premtimi, e në kabinetin e Kurtit kanë vendosur të mos i tregojnë arsyet për këtë sprapsje kundrejt fqinjit verior

Albin Kurti me lehtësi pati dhënë një zotim, kur dy ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte pyetur nga gazetarët nëse do ta rivendoste masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Është çështje ditësh ose javësh. Kurrsesi muajsh”, pati premtuar ai. “Nuk e di tash cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”.

Kurti doli fitues absolut i zgjedhjeve, e tashmë është bërë një muaj prej kur u formua Qeveria e tij. Por masa e reciprocitetit nuk u rivendos.

Në shoqërinë civile e kualifikojnë si mashtrim ndaj elektoratit mospërmbushjen e këtij premtimi.

Emir Abrashi, nga organizata Demokracia Plus (D+), thotë se gjërat që mund të thuhen me lehtësi në fushatë është vështirë të jetësohen në pushtet.

“Është e lehtë për ta thënë e në anën tjetër tingëllon mirë për votuesin, për shkak se e nxit një reagim emocional për këtë çështje. Tash a mund të konsiderohet kjo si mashtrim i votuesit, unë nuk e di se akoma është herët për të gjykuar, megjithatë duhet të presim për një periudhë, për të parë se si Qeveria do të veprojë lidhur me këtë çështje”, thotë ai. “Megjithatë, mashtrim mund të jetë fakti se është thënë që kjo çështje do të bëhet brenda ditësh dhe kjo nuk ndodhi”.

Në kabinetin e kryeministrit Kurti kanë refuzuar t’i tregojnë arsyet që lidhen me mosmbajtjen e zotimit për rivënie të reciprocitetit ndaj Serbisë brenda muajit. Zëdhënësi Përparim Kryeziu vetëm ka thënë se, një ditë më parë, ministrja Rozeta Hajdari është përgjigjur për këtë, në një konferencë për media.

Por, në konferencë Hajdari e ka reduktuar këtë masë vetëm në aspektin tregtar dhe ka thënë se fillimisht problemin do ta adresojnë në CEFTA.

“Ne së pari do t’i përdorim këta mekanizma, se sa këto na mundësojnë ne që t’i trajtojmë çështjet që i kemi me barriera më shumë shtete fqinje, jo vetëm me një”, ka thënë ministrja Hajdari. “Dhe unë sot nuk jam për të thënë që do të aplikojmë këtë ose këtë”.

Në shoqërinë civile flasin për arsyet që mund ta kenë sprapsur Kurtin nga përcaktimi për ta aplikuar reciprocitetin kundër Serbisë.

“Unë mendoj që është edhe për shkak të një presioni ndërkombëtar për t’iu rikthyer procesit të dialogut, dhe kur kemi parasysh që çështja e reciprocitetit mund ta zvarrisë edhe më tej kthimin në procesin e dialogut, mendoj që Qeveria në këtë aspekt po tregohet e kujdesshme”, thotë Emir Abrashi.

Ai përmend edhe momentumin e krijuar, për t’iu rikthyer dialogut me Serbinë, e në të cilin Beogradi zyrtar refuzon të përfshihet në rast se ka masa në fuqi, si reciprociteti.

“Është insistimi i Bashkimit Evropian që palët të rikthehen në tryezë të diskutimit dhe në anën tjetër është mbështetja e administratës Biden për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe njohje të ndërsjellë mes të dyja vendeve”, thotë Abrashi. “Prandaj lëvizjet që mund të ndikojnë në zvarritjen e këtij procesi dhe mund ta rrezikojnë kthimin në tryezë të diskutimit, mendoj që duhet të jenë të kujdesshme dhe nuk duhet të bëhen njëanshëm”.

Një vit më parë Kurti ishte kryeministër kur Qeveria e tij e hoqi tarifën ndaj mallrave serbe dhe e zëvendësoi me masë reciprociteti. Por kjo atëherë i kushtoi me rrëzim nga froni.