Arbëri

Lehona 24 -vjeçare nuk u përfshi në listën e vdekjeve nga IKSHPK-ja

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Mungesë të koordinimit për regjistrimin e vdekjeve me COVID 19, ka mes ShSKUK-së e Institutit të Shëndetit Publik.

Së paku në një rast KOHA ka vërtetuar që vdekja e një pacienteje me COVID 19 nuk është përfshirë në shifrat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik.

Më 8 prill në Gjinekologjinë e QKUK-së ka vdekur një 24-vjeçare lehonë e cila ishte hospitalizuar si pasojë e COVID 19.

Një e gjë e tillë thuhej në një përgjigje te QKUK-së një ditë pas vdekjes.

"Zyra për medie e SHSKUK-së ju konfirmon se ditën e djeshme në Mjekimin Intensiv COVID në QKUK, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor, nuk ka arritur të mbijetonte një nënë e lindur më 1997-n, nga Komuna e Ferizajt, e cila ishte e konfirmuar me COVID, e njëjta kishte lindur me operacion në Klinikën e Gjinekologjisë, në javën 34, të shtatzënisë”, ishte thënë nga QKUK-ja

Por, kjo vdekje nuk është përfshirë ne listën e asnjë prej ditëve pasuese nga IKShPK-ja.

Nga ky institucion fillimisht kanë dhënë një përgjigje plotësisht teknike.

“Ne gjatë përpilimit të raportit për rastet e vdekjes bazohemi ne raportin e dërguar nga Spitalet rajonale, QKUK dhe raporti 24-orësh i MSh-së. Çdo raporti për rast të vdekjes i përshkruhet diagnoza përfundimtare sipas vlerësimit të mjekut, të cilat pastaj paraqiten në komunikatën tonë 24- orëshe. Pra për çdo rast të vdekjes diagnoza përfundimtare COVID-19, apo vdekje si pasojë e COVID-19 bëhet nga ana e klinicistit”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
Kur KOHA ka kërkuar përgjigje shtesë për këtë rast, përgjegjësinë e kanë hedhur tek ShSKUK-ja.

“Në të dhënat tona që përfshijnë rezultatet e testimeve të kryera nga fillimi i pandemisë dhe të cilat raportohen në baza ditore nga laboratori i IKSHPK-se, QRSHP-te dhe laboratorët privatë të licencuar nga MSh(PCR dhe RAT), i vetmi rezultat për rastin ne fjale D.I., ka qene ai i datës 06.04.2021 (test PCR) me rezultat negativ”, kanë thënë nga IKSHPK-ja.

Por tjetër përgjigje kanë dhënë në ShSKUK. Kanë pranuar se kjo paciente ishte me COVID 19, por se ishte testuar pozitiv në një institucion privat.

“Zyra për medie e ShSKUK-së, ju konfirmon se bazuar në informatat nga Klinika e Gjinekologjisë, pacientja në fjalë ishte pranuar në Klinikë e konfirmuar si Sars-Cov-2 nga një institucion privat në Ferizaj”, kanë deklaruar nga SHSKUK-ja.

KOHA ka kërkuar qëndrim për këtë çështje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por ata nuk janë deklaruar.

Nga fillimi i pandemisë në Kosovë kanë vdekur mbi 2 mijë persona.

Ndërkohë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin 2020 ka pasur më shumë vdekje së në vitin 2019. Diferenca e vdekjeve e tejkalon numrin e të vdekurve nga COVID-i, vitin e kaluar.

Po ashtu sipas këtyre të dhënave edhe në dy muajt e parë të 2021-s, ka pasur dyfish më shumë vdekje se në dy muajt e parë të 2020-s.