Arbëri

Gjermania konfirmon mbështetjen ndaj Kosovës për sigurimin e vaksinave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Ambasadori Rohde ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në luftën kundër pandemisë, si dhe sigurimin e vaksinave anti-Covid.

Sipas njoftimit të dërguar mediave bëhet e ditur se Gjermania është financuesi më i madh i vaksinave COVAX, prej nga Kosova tashmë ka pranuar kontigjentin e parë dhe është në pritje të kontigjentit të dytë.

“Kryekuvendari Konjufca e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e çmuar që Gjermania ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën, përfshirë projekte të shumta zhvillimore në fusha të ndryshme, si dhe ndihmën në përballje me pandeminë Covid-19. Kryekuvendari Konjufca dhe ambasadori Rohde biseduan edhe për zhvillimet aktuale politike, duke shprehur përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë’, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, ambasadori Rohde i ka dorëzuar Konjufcës edhe një letër-urim të presidentit të Bundestagut Gjerman, Wolfgang Schäuble, përmes së cilës, veç tjerash, konfirmohet vazhdimi i mbështetjes së Gjermanisë për Kosovën si partnere e besueshme, si dhe gatishmëria e Schäuble për një takim në Berlin me kryekuvendarin Konjufca.​