Arbëri

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, BE-ja kërkon respektim të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut

Hartimi i koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i miratuar nga Qeveria së fundmi, kishte nisur vitin e kaluar. Atëkohë Zyra e BE-së në Prishtinë kishte kundërshtuar që organ përgjegjës për këtë proces të jetë një agjenci. BE-ja nuk ishte pajtuar po ashtu që qytetarët të përfshihen në hetimin e pasurisë. Kurse, aktualisht BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që legjislacioni për këtë çështje të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat themelore të njeriut. Por, zbatimi i këtij mekanizmi në këtë formë vlerësohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe i pazbatueshëm nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Mënyrën që Qeveria Kurti ka zgjedhur ta themelojë mekanizmin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme e ka kundërshtuar Bashkimi Evropian. Gjatë draftimit të koncept-dokumentit vitin e kaluar, Zyra e BE-së në Prishtinë përmes komenteve të dërguara nuk është pajtuar që me këtë çështje të merret një agjenci e pavarur, por organet gjyqësore.

Në komentet e kësaj zyre, të cilat i ka siguruar KOHA, thuhet se ka disa arsye që prokurorët duhet të merren me këtë çështje. “Ka disa arsye për këtë: Që procedura të zbatohet në mënyrë të pavarur, të jetë objektive dhe e drejtë, duhet të sigurohemi që organet gjyqësore janë ato që kontrollojnë procesin dhe prokurori drejtpërdrejt bie në këtë kategori; Prokurorët tashmë kanë një rol të spikatur në fushën e konfiskimit dhe ata tashmë kanë (ose pritet të kenë) të gjithë përvojën e nevojshme për të aplikuar një skemë tjetër konfiskimi. Prokurorët, si palë ndërgjyqësore me përvojë, janë në një pozicion më mirë për të argumentuar çështjet e tyre të konfiskimit para gjykatave në krahasim me ndonjë agjenci tjetër shtetërore (p.sh. AKK ose të tjerët)”, thuhet në mendimin e Zyrës.

Për BE-në është e papranueshme që në projektligj të përfshihen edhe qytetarët, pasi vlerëson se shumë prej tyre do të mund të dëmtoheshin. “Bërja e rikuperimit civil universal për të gjithë, mund të shkaktojë dëm të panevojshëm për shumë qytetarë të Kosovës, origjina e pasurive të të cilëve shpesh mund të jetë e vështirë të provohet, edhe nëse ato nuk janë të paligjshme (p.sh. dërgesat nga jashtë, të ardhurat nga shitja e produkteve, shumë transaksione joformale, etj.)”, vlerëson Zyra e BE-së.

Në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar të përfshijë dy komponentët e kundërshtuar nga BE-ja, themelimin e një agjencie dhe mundësinë që përveç personave zyrtarë të hetohet edhe pasuria e qytetarëve.

BE-ja nuk ka treguar saktësisht nëse vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë për këtë çështje. Në përgjigjen për KOHËN, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka tërhequr vërejtjen se koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut.

Stano ka bërë të ditur se janë siguruar nga Qeveria se BE-ja dhe akterët e tjerë ndërkombëtarë do të konsultohen në procesin e përgatitjes së projektligjit. “Opsionet e reformës të parashikuara nga koncept- dokumenti do të duhet të respektojnë parimet e përfshira në Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat themelore të individëve. Më e rëndësishmja, konfiskimi civil nuk duhet të zëvendësojë ose të dëmtojë zbatimin e kornizës ekzistuese ligjore për konfiskimin penal”, ka thënë Stano.

Ai ka shtuar se sa i përket çështjes së fundit, korniza ligjore e cila është në fuqi nga viti 2019 është në linjë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. “Ne presim që autoritetet të fokusohen në implementimin e tij të plotë, duke rritur sasinë e aseteve të konfiskuara përmes procedurës penale”, ka përfunduar Stano.

Zbatimin e konfiskimit të kësaj natyre përmes një agjencie e vlerëson të pazbatueshëm Instituti i Kosovës për Drejtësi, pasi e quan atë kundërkushtetues.

Ajo çfarë duhet të bëjnë institucionet, sipas Gëzim Shalës nga ky institut është forcimi i mekanizmave aktualë për konfiskim, i atij përmes Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për kompetencat e zgjeruara, të cilat thotë se kanë dështuar të zbatohen. “Përpos që nuk do të ketë efekt, mënyrë se si po diskutohet çështja e agjencisë është edhe kundërkushtetuese dhe nuk mund të aplikohet në sistemin juridik dhe po ashtu përderisa nuk zhvillohet një sistem i vettingut në Kosovë mënyra e funksionimit të sistemit kosovar të drejtësisë nuk garanton zbatim të drejtë të këtij ligji në praktikë”, vlerëson Shala.

Të ndjeshme, Shala e vlerëson edhe hetimin eventual të pasurisë së qytetarëve. “Sa u përket qytetarëve është jashtëzakonisht problematike se si do të vijnë deri te një konstatim se për një qytetar ka dyshim të bazuar se pasuria e tij nuk është e justifikueshme dhe për këtë arsye kjo mund të përdoret vetëm për hakmarrje politike dhe mundësitë për keqpërdorim me këtë ligj në këtë mënyrë janë shumë të mëdha”. Koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është miratuar javën e kaluar nga Qeveria. BE-ja ka rekomanduar që procesi të përfshijë dy kategori të pasurive: Pasuritë që nuk janë deklaruar fare dhe pasuritë që janë deklaruar, por nuk përputhen me të ardhurat e ligjshme.