Arbëri

103 persona me sëmundje kronike janë vaksinuar sot në sallën “1 Tetori”

Descriptive Text

Gjatë ditës së diele, deri në mesditë, janë vaksinuar 103 persona me sëmundje kronike të grupmoshës 75-79 vjet.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Bardh Nimani ka thënë se fluksi i personave që kanë kërkuar të vaksinohen sot ka qenë më i ulët në krahasim me ditët e kaluara.

Sipas tij, numri total i të vaksinuarve duke përfshirë këtu të moshuarit e moshës mbi 85 vjet, ata mbi 80 vjet e më pas edhe të sëmurët kronikë dhe ata në dializë, që nga 8 prilli, është 2.333 persona.

“Nga data 8 kur kemi filluar me grup-moshën mbi 85 e tutje, aktualisht janë 2333 persona të vaksinuar. Sa i përket vetëm të sëmurëve kronikë kemi 827 persona të vaksinuar, ndërkaq të moshuar 1180, shto pastaj edhe numrin e personave shëndetësor dhe atyre në dializë”, është shprehur Bardhi.

Kosova deri më tani ka pranuar vetëm 24.000 doza të vaksinës anti-COVID, AstraZeneca. Deri më tani janë vaksinuar vetëm një pjesë e personelit shëndetësor, disa të moshuar dhe disa të sëmurë kronikë e në dializë.

Kontingjenti i radhës i vaksinave pritet të vijë në Kosovë gjatë muajit maj.