Arbëri

Mbi 200 të moshuar me sëmundje kronike janë vaksinuar sot në sallën “1 Tetori”

Në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” janë vaksinuar deri më tani 1898 persona, që nga dita e parë kur ka filluar vaksinimi në Kosovë.

Bardh Nimani, koordinator i kësaj qendër ka bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së shtunë, deri në mesditë, 220 persona të shoqëruar me sëmundje kronike, të moshës mbi 75 vjeç kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

“Në total, nga kategoritë e të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë, përfshirë edhe ata me dializë, kemi 1898 të vaksinuar, të moshuar deri më tani janë vaksinuar 1162 persona, në dializë 47, dhe të sëmurë kronikë të vaksinuar janë 536 persona”, ka thënë Bardhi.

Ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët të respektojnë grup-moshat me qëllim që të mos ketë keqkuptime.

Kosova deri më tani ka pranuar vetëm 24.000 doza të vaksinës AstraZeneca ndërkohë që kontingjenti i radhës i vaksinave pritet të vijë në muajt në vazhdim.