Arbëri

Qeveria nis hartimin e programit, opozita kritikon për vonesa

Descriptive Text

Për dy ditë me radhë, në takime të ndara në disa grupe, shkaku i pandemisë, anëtarët e ekzekutivit do të hartojnë programin qeverisës e planin e veprimit. Hartimi i tyre, gati tri javë nga marrja e detyrës, është konsideruar i vonshëm nga opozita, derisa nga shoqëria civile kanë thënë se ai duhet të bëhet sa më parë. Por me një gjë të tillë nuk pajtohen nga Qeveria

Tri javë i janë dashur kryeministrit Albin Kurti që t’i mbledhë anëtarët e kabinetit të tij për të hartuar programin qeverisës. Punëtoria e nisur të shtunën është ndarë në disa grupe, derisa do të vazhdojë edhe të dielën.

Por një veprim i tillë, 19 ditë nga marrja e drejtimit të ekzekutivit, është duke u konsideruar i vonshëm nga partia më e madhe opozitare, PDK-ja. Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Avni Bytyqi, programi qeverisëses është dashur të prezantohej në ditën kur Kurti e ka marrë detyrën.

“Gjëja e parë që Albin Kurti do të duhej të prezantonte në Kuvendin e Kosovës kur e kishte pranuar detyrën si kryeministër i vendit, janë programi dhe plani i tij i punës. Në mungesë të tyre, për fat të keq, Kosova vazhdon të rreshtohet si vendi i fundit në Evropë për vaksinimin e qytetarëve. Ndërsa, në anën tjetër, 60 mijë qytetarë e kanë humbur vendin e punës, dëmet në ekonominë tonë shkojnë në qindra miliona euro”, ka thënë Bytyqi.

Në mungesë të një plani të qartë të veprimit, sipas Bytyqit, Qeveria është duke improvizuar edhe me masat e ndërmarra.

“Qeveria Kurti është duke improvizuar me masa të gabuara kundër pandemisë, ndërsa ka braktisur sektorin privat duke e kufizuar dhe duke mos i ofruar as ndihmën themelore për mbijetesë apo për të sanuar humbjet”, ka thënë ai.

Edhe nga shoqëria civile konsiderojnë se plani qeverisës duhet të bëhet sa më parë.

“Pa plan qeverisës ne nuk e dimë se kah do të orientohen prioritetet e Qeverisë, prandaj është shumë e rëndësishme që ta shohim një plan të tillë sa më parë që është e mundur”, ka thënë në një konferencë për media Njomza Arifi, hulumtuese në Grupin për Studime Politike dhe Juridike.

Por nga ekzekutivi kanë thënë se nuk janë vonë me hartimin e programit e planit të Qeverisë, derisa kanë bërë të ditur se janë drejt finalizimit të tyre.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, dokumentet si ato të programit e planit janë të rëndësishme, andaj edhe duhet diskutim me të gjitha ministritë.

“Nuk kemi të bëjmë me vonesa. Prioritetet dhe planet tona për Qeverinë Kurti 2 kanë qenë publike. Mbi ato kemi garuar dhe fituar në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në anën tjetër, Programi i Qeverisë dhe Plani i Veprimit janë dokumente serioze të cilat kërkojnë trajtim të kujdesshëm. Aty përcaktohen veprimet kryesore të Qeverisë për 4 vjet. Për hartimin e tyre kërkohet koordinim dhe diskutim me të gjitha ministritë, dhe ne tashmë jemi drejt finalizimit të këtyre dokumenteve”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

Një punëtori tërëditore, Albin Kurti e pati organizuar edhe në mandatin e tij të parë, më 2020. Mbledhja e mbajtur në Prevallë kishte zgjatur rreth tetë orë, derisa pas saj ishte thënë se kanë arritur ta harmonizojnë programin qeverisës.