Arbëri

Prapaskenat rreth kasafortës së Presidencës, implikohet edhe një ish-këshilltar i Thaçit

Shumë nga prapaskenat e skandalit me kasafortën e Presidencës, i zbardh arsyetimi i një vendimi, me të cilin është larguar nga Shërbimi Civil sekretari Driton Gashi. Në dëshminë e tij, Gashi ka implikuar në këtë ngjarje edhe ish-këshilltarin Ardian Arifaj. Dokumenti i siguruar nga KOHA nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike tregon edhe se kush nga zyrtarët e mbante kodin e kasafortës së Presidencës.

Prapaskenat e mësymjes për ta hapur kasafortën e Presidencës një ditë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e kreut të shtetit, i zbulon një dokument i Komisionit Disiplinor ad-hoc për nivelin e lartë drejtues, me të cilin sekretari Driton Gashi është larguar nga Shërbimi Civil.

Dokumenti implikon në skandal edhe Ardian Arifajn, një prej bashkëpunëtorëve të Thaçit.

Paraditen e 6 nëntorit të vjetëm, gjithçka kishte nisur me një SMS, që Gashi ia kishte përcjellë Faton Pecit, i cili atëkohë ishte shef i stafit të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani. Në të thuhej se EULEX-i do t’i bastiste zyrat e Presidencës.

Në dëshminë para Komisionit, Peci kishte treguar hapat e ndërmarrë pas pranimit të SMS-it.

“Si shef stafi kam shkuar në zyrë me kërkesë të u.d. së presidentes, ku kam gjetur z. Gashi, sekretarin, duke komunikuar me telefon në dorë dhe duke tentuar të hapë kasafortën. E kam prekur në sup dhe i kam thënë se ‘çka jeni duke bërë këtu’. Më tha ‘këto dokumente nuk guxojnë të bien në dorën e EULEX-it”, ka thënë ai në dëshminë para Komisionit.

Para Komisionit, Gashi ka thënë se informatën për bastisje të zyrave ia kishte dhënë Ardian Arifaj, nëpërmjet telefonit. Në një moment gjatë intervistës, ish-sekretari ka thënë të mos ishte i sigurt nëse informatën ia kishte dhënë ky këshilltar ose dikush tjetër nga kabineti i ish-presidentit Thaçi.

KOHA e ka kontaktuar Arifajn gjatë ditës, por ai ka thënë se nuk do që të komentojë mbi këtë deklaratë.

Gjatë zhvillimit të procesit disiplinor kundër tij, Gashi ka arsyetuar përcaktimin për ta hapur kasafortën.

“Z. Faton Peci më tha: Presidentja më tha që këtë çështje e shqyrtojmë pas 2 orëve. Unë thash që kjo çështje është urgjente dhe mua ma dhanë kodin e kasafortës. Unë thashë që e hapi kasafortën dhe mbaj përgjegjësi për hapje, por çka ndodh me dokumente nuk marr përgjegjësi se a i mbani aty apo i largoni. Është e vërtetë që kam provuar ta hapi kasafortën, por nuk është hapë”, ishte shprehur Gashi.

Komisioni kishte pyetur Gashin nëse në atë moment kishte vendosur ta shpërfillte udhëzimin e presidentes, pasi kishte menduar se interesi shtetëror ishte që kasaforta të hapej.

Ai ishte përgjigjur: Po, ashtu është.

Arsyetimi i vendimit përmban të dhëna mbi komunikime brenda Presidencës, në synimin për ta hapur kasafortën.

Arbër Sahiti, drejtor i IT-së, ka dhënë këtë dëshmi:

“Z. Driton Gashi më ka ftuar që ta hap kasafortën përmes SMS-it. Në orën 10:05 përafërsisht më ka njoftuar që znj. Hana Bajrami, ish-asistente e z. Hashim Thaçit, e ka kodin e kasafortës”.

Gashi para Komisionit ka folur edhe për komunikimin me AKI-në. Ka thënë se pasi kishte mbërritur një zyrtar i kësaj agjencie në të njëjtën kohë me Faton Pecin, ai ka dalë në korridor, ku ka qenë një zyrtar policie dhe se gjatë gjithë kësaj kohe me të ka qëndruar Fehmi Mehmeti, drejtor i Protokollit në Presidencë.

Mehmeti e ka mohuar këtë, gjatë dëshmisë.

“Unë jo. Nuk e kam shoqëruar z. Driton Gashi. E kam parë gjatë ditës në korridor, por i shoqëruar jo”, ka thënë Mehmeti.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe konsultimit të ligjeve në fuqi, Komisioni ia shqiptoi Gashit masën e largimit nga Shërbimi Civil. Kjo nën arsyen se, me veprimet për ta hapur kasafortën, ai kishte keqinformuar eprorin dhe kishte refuzuar t’i zbatonte urdhrat.