Arbëri

Shoqëria civile kërkon transparencë nga Policia në lidhje me dhunën ndaj grave

Descriptive Text

Transparencë në mekanizmat e policisë për adresimin e dhunës në familje ka kërkuar shoqëria civile.

Luljeta Demolli që drejton Qendrën Kosovare për Studime Gjinore ka thënë se pavarësisht kërkesave për informata në të kaluarën, ende ka shumë të panjohura se si funksionon policia dhe cilat janë kapacitetet e saj për adresimin e dhunës në familje.

“Sa i përket kapaciteteve në aspektin e mbrojtjes dhe parandalimit të dhunës ndaj grave, kapacitetet e policisë mendoj që nuk i kemi ende shumë të qarta, edhe pse kemi realizuar hulumtime, në kuptimin që nuk mund të themi që nuk kanë kapacitete, por dëshiroj të them që kapacitetet e policisë duhet të jenë më transparente dhe duhet bërë më shumë për ta ngritur vetëdijen te viktimat që ta raportojnë më shumë dhunën. Për shembull, duhet të dimë më shumë se sa vetura i kanë në dispozicion për t’u ofruar te viktima, sa persona janë të trajnuar për t’u ofruar te viktima”, ka thënë Demolli.

Ndërkohë, Nazife Jonuzi që udhëheq Qendrën e strehimit të grave e fëmijëve në Gjilan, ka thënë se ky rajon ka dy policë që punojnë rregullisht dhe janë në gjendje gatishmërie jashtë orarit të tyre të punës.

“Është njësiti kundër dhunës që është brenda në polici. Gjithmonë është një police femër dhe një polic. Është njësiti brenda policisë kundër dhunës në familje që është 24 orë, edhe ne jemi 24 orë, edhe njësiti është 24 orë. Janë në kujdestari, edhe te policia, edhe te ne”, ka deklaruar Jonuzi nga Qendra për mbrojtjen e grave e fëmijëve “DRITA”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka deklaruar se numri i policëve shkon në bazë të llojeve të stacioneve, ndërsa ka shtuar se policët për dhunë në familje pasi kryejnë orarin e rregullt, vazhdojnë të jenë në gatishmëri për thirrje.

“Është e rregulluar. Stacionet në kategorinë A në qytetet e mëdha, ku janë shumica në kategorinë A, duhet t’i kenë dy deri në tre zyrtarë, patjetër që merren me trajtim të rasteve të dhunës në familje. Stacionet e kategorisë B, që janë më pak, i kanë dy, dhe stacionet e kategorisë C që janë në fshatra e që janë stacione të vogla siç është Mamusha apo Graçanica, kanë nga një zyrtar. Tash nëse i mbledhim i kemi 41 stacione policore, por nuk guxoj të them unë se nuk e di saktë pa e marrë zyrtarisht. Nëse i ka në orar një ose dy punon në thirrje, punon në orar prej orës 8 deri në 16, e nëse ndodh pas orës 16, shkruhet dhe vjen e trajton rastin e dhunës në familje”, ka pohuar Krasniqi.

Sipas tij, në bazë të raportimeve, në katër vjetët e fundit, rastet e dhunës në familje janë rritur për 17 për qind.