Arbëri

Mosha mesatare e deputetëve të Kuvendit të Kosovës është 43 vjeç

43 vjeç është mosha mesatare e deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë deputetët më të rinj, me mesatare 40 vjeç. 

Mosha mesatare e deputetëve të PDK-së është 44 vjeç, LDK-së 46 vjeç, kurse AAK-ja do të ketë deputetët më të vjetër, me mesatare prej 49 vjeç. 

Deputeti më i vjetër i legjislaturës së tetë është 74-vjeçari Avni Dehari nga Vetëvendosje, të cilit i takoi edhe përgjegjësia e udhëheqjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Ai thotë se një detyrë të tillë nuk ishte e lehtë për të.

“Ka qenë ndjenjë përgjegjësie, nuk mund ta fsheh që kam pasur një shqetësim sepse kam pasur qëllim që seanca të udhëhiqet në mënyrën më të mirë të mundshme... Është edhe një nder që njeriu të hapë një seancë konstituive të një legjislature që mendohet të udhëheqë Kosovën për një mandat së paku”, ka thënë Dehari.

Si deputet, Dehari synon të merret më shumë me fushat e arsimit e kulturës, duke mos lënë anash problemet e mërgatës shqiptare, pjesë e së cilës ishte afro 20 vjet.

Ditën e konstituimit, Dehari kishte në krah të djathtë 24-vjeçaren Adelina Grainca nga PDK-ja, si deputetja më e re e kësaj legjislature.

Ajo nuk është deklaruar lidhur me këtë epitet dhe objektivat që mendon t’i arrijë si deputete.

E, mosha mesatare e kësaj legjislature është për një vit më e re nga ajo e kaluara – që ishte 44 vjeç.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zëvendësuar deputetët që kanë marrë poste ministrore, kurse betimi i deputetëve të rinj pritet të bëhet në mbledhjen e radhës së Kuvendit.

Nga 120 deputetë, 36 prej tyre kanë fituar ulëse për herë të parë.