Arbëri

Ferati do qeveri gjithëpërfshirëse, thotë se presin të ndodhë “kontrabandim deputetësh”

Ish - deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sadri Ferati, anëtar i kryesisë së kësaj partie, tha për Radion Evropa e Lirë se situata në të cilën ka ardhur Kosova është e re dhe duhet të tregohet që Kosova ka një pjekuri politike për t’i tejkaluar këto sfida.

“Tani jemi në pritje se a do të ndodhë ndonjë kontrabandim i ndonjë deputeti për të plotësuar ndonjë numër minimal, që kishte me qenë e papreferuar. Dhe, tani kanë mbetur dy mundësi, ose të bëhet një Qeveri e marrëveshjes me përbërje të gjerë ose të shkohet në zgjedhje. E para nuk jep shpresë për një qeverisje të gjatë, jo më tepër se një vjet, dhe e dyta përsëritja e zgjedhjeve që sapo i patëm”, tha Ferati.

Megjithatë, Ferati thotë se më mirë do të ishte formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.

“Unë anoj që të mos shkohet në zgjedhje menjëherë, sepse edhe rezultatet përafërsisht janë këto. Maltretimi është shumë i madh dhe më së paku iu duhet një përsëritje e zgjedhjeve. Prandaj, unë jam ithtar që të shkohet me qeverisje të gjerë”, tha Ferati.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, e bën të domosdoshëm lidhjen e koalicioneve të reja pas zgjedhore, në mënyrë që Kosova të mos futet në një ngërç të ri politik.