Arbëri

Shtohen telashet për procesin e përzgjedhjes së presidentit

Miratimi i ankesës së dy deputeteve të VV-së nga Gjykata Kushtetuese lidhur me zëvendësimin e bërë në legjislaturën e kaluar, mund të shkaktojë vonesa në mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo seancë është paralajmëruar se do të mbahet pas përfundimit të procedurave të zëvendësimit të deputetëve të cilët kanë zënë vend në Qeveri, proces ky i cili pas vendimit të së premtes të Kushtetueses mund të marrë edhe disa ditë për të përfunduar.

Një telash tjetër në rrugën për t’u bërë presidente u ka dalë Vjosa Osmanit, si dhe partisë që e kandidoi për këtë pozitë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Asaj mund t’i prishë punë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë të premten, lidhur me mënyrën se si është bërë zëvendësimi i deputetëve në legjislaturën e kaluar.

Sipas Kushtetueses, pas sigurimit të kuotës gjinore prej 30 për qind, zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet në bazë të votave të marra, e jo në bazë të gjinisë, gjë e cila ka ndodhur deri më tani.

“Ky aktgjykim sqaron për të ardhmen se, bazuar në një lexim të saktë dhe kontekstual të nenit 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, zëvendësimi i kandidatëve për deputetë duhet të bëhet në atë mënyrë që së pari të sigurohet përfaqësimi minimal në masën 30% të gjinisë së nënpërfaqësuar (gjinisë pakicë), e cila nuk mund të vihet në pikëpyetje në asnjë moment; dhe së dyti, në rastet kur kuota gjinore prej 30% është përmbushur bazuar në rezultatin zgjedhor (siç ishte rasti konkret), atëherë zëvendësimet e kandidatëve për deputetë duhet të bëhen në bazë të rezultatit zgjedhor, pa u kufizuar në aspektin e zëvendësimit në bazë të gjinisë së njëjtë, përderisa nuk rrezikohet minimumi i përfaqësimit të gjinisë së nënpërfaqësuar”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Madje një gjë e tillë është bërë edhe në zëvendësimin e deputetëve të legjislaturës së re, pas përfundimit të të cilit është paralajmëruar thirrja e seancës për votimin e kreut të shtetit.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se me publikimin e plotë të aktgjykimit, KQZ-së duhet t’i kërkohet t’i bëjë përmirësimet e nevojshme.

Sipas Cakollit, janë së paku dy deputete të VV-së të cilat duhet të zëvendësohen nga kolegët e tyre, në përputhje me vendimin e Gjykatës. E përfundimi i të cilit varet nga publikimi i aktgjykimit.

Me gjithë mundësitë që seanca për zgjedhjen e presidentit të vonohet edhe për disa ditë, Imer Mushkolaj thotë se do të ishte ideale që edhe partitë në opozitë të kenë një kandidat për kreun e shtetit.

“Një opozitë ndryshe ta quaj konstruktive do të nënkuptonte që ta kishte kandidatin e vet, pra opozita ta propozonte një kandidat të vetin dhe pastaj të ishte një garë më fer dhe varësisht nga emrat e kandidatëve edhe deputetët të mund të votonin”, ka deklaruar Mushkolaj.

Zgjedhja apo jo e Vjosa Osmanit presidente varet nga qëndrimi që LDK-ja pritet të marrë gjatë javës së ardhshme.

Pa pjesëmarrjen në votim të deputetëve të kësaj partie, nuk mund të sigurohet kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e saj.