Arbëri

Auditori gjen shkelje të shumta në së paku 4 ndërmarrje publike

Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur publikimin e serive të raporteve të auditimit te ndërmarrjet e institucioneve për vitin e kaluar. Në disa ndërmarrje, ky institucion ka gjetur se ka shkelje të ligjit dhe ka theksuar se ato vazhdojnë të punojnë me humbje.

Vërehet mosregjistrimi i pasurive, rritja e numrit të punëtorëve, rritja e pagave dhe mëditjeve dhe një varg shkeljesh të tjera.

Në katër raporte, kjo Zyrë ka gjetur një numër të madh shkeljesh, punësimesh pa asnjë konkurs, e rritje pagash pa asnjë bazë ligjore.

Kompania publike që menaxhon me trenat “Trainkos”, sipas raportit të auditimit po vazhdon të funksionojë me humbje, duke e humbur edhe një proces gjyqësor, i cili i kushtoi hiq më pak se 227 mijë euro, raporton KTV.

Kjo kompani ka probleme të mëdha me inkasimin e borxheve të vjetra, madje duke i nënvlerësuar këto borxhe, siç është rasti i një borxhi prej rreth 68 mijë eurosh dhe që në shënimet kontabël ishte 44 mijë euro.

Trainkos, përpos që nuk ka barë asnjëherë rivlerësim të pasurive, ajo as nuk ka të regjistruara pasuritë joqarkulluese, siç janë laptopët, kompjuterët, mobilet, etj.

Gjatë vitit 2016, ndërmarrja ka operuar me humbje në vlerë prej mbi 1.1 milion euro, ndërsa për shkak të punësimit të 15 punëtorëve pa asnjë konkurs dhe rritjes së pagave dhe mëditjeve, harxhimi në këtë fushë ka arritur në mbi 83 mijë euro.

Hiç më mirë nuk i ka punët as ngrohtorja e Gjakovës.

Edhe pse ndërmarrja ka arritur të përfitojë nga fondet e IPAS 21 milionë euro bashkë me Termokosin për përmirësimin e ngrohjes qendrore me ko-gjenerim, këto para nuk mjaftojnë që të rehabilitohet edhe rrjeti.

Ndërmarrja në fjalë ka probleme me pajisjet matëse për të bërë një faturim të saktë të ngrohjes së shpenzuar nga konsumatori, përderisa pagesat e faturave po vazhdon t’i bëjë përmes inkasantit, e jo përmes bankës.

Gjatë 2016-ës, ngrohtorja kishte deklaruar shpenzim të pagave në vlerë

183.600 euro dhe në po të njëjtin vit kishte arritur t’i paguajë pagat e mbetura nga korriku i 2014-ës.

Situatë aspak më të mirë kanë edhe dy ndërmarrjet që merren me menaxhimin e mbeturinave.

Në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, auditori ka gjetur se kompania ka marrë veturë me qira pa kontratë në vlerë prej 496 eurove, një fenomen i ndodhur në 4 raste.

Kjo deponi vazhdon të operojë pa licencë nga 2012-a, ndërsa në plot raste kompania në fjalë ka faturuar nga dy herë mbeturinat e sjella, kurse në një rast kishte paguar mbi 184 mijë euro dënim nga gjykata.

E, në disa raste i kanë paguar më shumë se që duhet furnitoret, vlera e të cilave shkon në mijëra euro.

Me një varg problemesh është edhe Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” nga Ferizaj, e cila sipas auditorit ka raste të mosekzistimit të shënimeve të detyrimeve afatshkurta, prezantim jo të saktë të kapitalit rezervë.

Në një rast kishte vërejtur dallime të shumës së borxhit të paraqitur nga furnitori dhe nga shënimet e brendshme, me një nënvlerësim prej mbi 34 mijë eurosh.

E njëjta kompani, vitin e kaluar ka punësuar 4 punonjës që kryenin punë për pozitat që nuk kishte hapur fare konkurse, ndërsa ka pasur edhe rritje të pagave dhe mëditjeve, që shkaktuan edhe tejkalim të buxhetit në raport me planifikimin e tij.

Në të gjitha këto auditime është dhënë notë negative për qeverisjen e kompanive, apo edhe të mosmarrjes parasysh të rekomandimeve të dhëna më 2015.