Dy anëtarë të OSHP-së do të gjykohen se rrëzuan tenderin 8 milionësh për ushqim në FSK

19 qershor 2017 20:17

Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu do të përgjigjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë për atë që kishin vendosur t’i rrezonin procedurat e prokurimit për tenderin 8-milionësh për ushqimin e FSK-së, pavarësisht se të gjitha faktet ishin në favorin e operatorit ekonomik që këta e eliminuan.

Kohavisioni ka provuar të marrë një konfirmim zyrtar nga Prokuroria për këtë çështje, por pa rezultat.

Ndërkohë, burime të KTV-së brenda Prokurorisë së Shtetit, bëjnë të ditur se aktakuza tashmë është ngritur, por që prokurori i rastit ndodhet në pushim vjetor.

Gjykata e Tenderëve ka bërë të ditur se ende zyrtarisht nuk janë njoftuar nga prokuroria për ngritjen e një aktakuze të tillë.

Sidoqoftë, ata kanë bërë të ditur se konform ligjit të prokurimit publik, gjykata kompetente në ditën e ngritjes së aktakuzës ndaj kryetarit apo ndonjë anëtari të OSHP-së, e dërgon njoftimin te kryetari i Kuvendit, i cili në emër të Kuvendit si institucion që e ka emëruar, e njofton OSHP-në për suspendimin e kryetarit apo anëtarit të tij.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë nëse ka marrë një iniciativë të tillë, por as ky institucion nuk është përgjigjur.

Kohavisioni kishte raportuar edhe më parë për historinë e këtij tenderi, ku si rrjedhojë e rrëzimit të tij, Forca e Sigurisë së Kosovës ishte e obliguar që për gati një vit t’i vazhdojë procedurat e ringocimit për ushqim me “Beni Donën”.
 

Historia nisi kur Organi Shqyrtues vendosi të hedhë poshtë vendimin e Autoritetit Kontraktues të MFSK-së, për të lidhur kontratë me “Beni Dona Plast”, e cila ishte kompania e dytë për nga çmimi më i ulët, por që ishte vlerësuar e përgjegjshme.

Ky fakt ka shtyrë operatorin tjetër që të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Tenderëve.

Operatori Ekonomik “Florenti dhe Korabi” kishte ofertë më të lirë për 800 mijë euro. Por, ky operator u konsiderua si i papërgjegjshëm, sepse nuk ofroi dëshmi me dokumente se ka bërë shërbime të tilla më parë dhe do të mund t’i furnizonte të gjitha kazermat me ushqim.

Eksperti shqyrtues i OSHP-së, pasi kishte analizuar faktet, i kishte dhënë të drejtë FSK-së që të lidhë kontratë me operatorin “Beni Dona”.

Por, Bordi i OSHP-së më 24 dhjetor të 2015-s dha vendim që të anulohet aktiviteti i prokurimit, sepse ishte shkelur ligji i prokurimit.

Vendimi u mor me shumicë votash. KTV-ja kishte raportuar atëkohë se pro kishin votuar Tefik Sylejmani e Ekrem Salihu, ndërsa kundër ishte Hysni Hoxha. Dy të parët për këtë shkak janë bërë cak i hetimeve.

Operatori Ekonomik “Beni Dona” u ankua ndaj OSHP-së, duke kërkuar që të korrigjojë vendimet, pasi pretendon se ky organ nuk ka shoshitur faktet e ofruara nga ta.

Ankesa e tyre u miratua në qershorin e vitit të kaluar, pas kompletimit të bordit të OSHP-së, i cili rrëzoi këtë vendim dhe ktheu procedurat në pikën zero.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme