Haradinaj thotë se i ka votat, e Vetëvendosje synon udhëheqjen e Qeverisë

19 qershor 2017 19:05

Shumë i sigurt se i ka votat e mjaftueshme për ta bërë Qeverinë është shprehur të hënën lideri i AAK-së, që është i nominuar për kryeministër nga PDK-AAK-Nisma.

Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se Qeveria e re do të formohet në afat rekord, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.

Në një intervistë për KTV-në, Haradinaj ka thënë se nuk kanë telashe me numra për ta bërë Qeverinë e re, por se janë në diskutime me deputetë të zgjedhur të Kuvendit, në mënyrë që Qeveria e ardhshme të jetë më e fuqishme.

Haradinaj i është kundërpërgjigjur kandidatit për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili akuzoi PAN-in se po synon që t’ia vjedhë LDK-së e AKR-së ndonjë deputet dhe pastaj ta lusë Vuçiqin në Beograd për ta formuar Qeverinë në Kosovë.

Në Vetëvendosje këtë e quajnë frikë e panik, që e ka kapur Haradinajn.

Sejdiu ka vazhduar t’i bëjë ftesë jo vetëm koalicionit LDK-AKR- Alternativa, por edhe deputetëve të koalicionit PAN që t’i bashkohen Qeverisë së Albin Kurtit, duke ikur nga koalicioni i klanit “pronto”

Menjëherë pas zgjedhjeve, LDK-AKR-Alternativa ia kanë bërë të qartë koalicionit PAN se nuk do të hyjnë në bashkëqeverisje me ta, derisa po presin certifikimin e rezultateve për të arritur një koalicion paszgjedhor me Vetëvendosjen, që bashkë do të bënin më shumë se 61 deputetë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme