Arbëri

Haxhiu: Para se të shpresojë për kryeministër Kurti duhet ta njohë Thaçin president

Ani pse, sipas të gjitha gjasave, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mund të marrë më shumë se 21 deputetë në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, anëtari i kësaj partie insiston se edhe në këto zgjedhje PDK është parti fituese.

Bekim Haxhiu në një intervistë për KosovaPress është i bindur se Qeverinë e re do ta formojë koalicioni PAN që ai e quan “koalicion fitues me PDK-në në krye”.

“Kjo është fitore me 39 deri 40 deputetë në koalicionin që ka udhëhequr Partia Demokratike. Pra është koalicioni i PDK-së me subjektet tjera. PDK është parti fituese. Brenda një ekipi që e fiton lojën atëherë nuk mund të quhet secili që ka vrapuar më pak ose më shumë por ekipa jonë është ekipa fituese. Nëse i shikojmë edhe disa deputet të NISMA-s dhe të AAK-së janë deputetë që kanë qenë, karrierën politike e kanë filluar me PDK-në, janë të PDK-së dhe brenda listës zgjedhore PDK-ja i ka vlerësuar të gjithë, elektorati jonë dhe qytetari i ka vlerësuar të gjithë ne jemi fitues me 39 deputetë bashkë me partnerët tanë të koalicionit”, tha Haxhiu.

Ai beson se deri në fund të numërimit të votave koalicioni PAN do të dalë me 40 ose 41 deputetë dhe kjo sipas Haxhiut i hap rrugë për formimin e institucioneve të reja.

Megjithatë Haxhiu ka pritur rezultat më të mirë dhe më të thellë por që prapëseprapë ai thotë se kjo është një fitore e cila i hap rrugë implementimit të planit zhvillimor të PDK-së.

Sipas tij shumë shpejt apës certifikimit të rezultateve kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj do ta formojë Qeverinë. Haxhiu thotë se asnjë parti pas luftës nuk i ka fituar zgjedhjet e vetme dhe në vazhdimësi ka pasur koalicione paszgjedhore e edhe kësaj radhe beson se do të ketë njerëz që dinë të mendojnë për shtetin.

“Jam i bindur se edhe në këtë rast posa të kalojnë këto ethet zgjedhore sepse unë i kuptoj që disa përfaqësues të partive politike po flasin ende me atë logjikën e fushatës parazgjedhore derisa të bien pak temperaturat paszgjedhore besoj që pastaj do të shkohet kah konstituimi i institucioneve themelimi i institucioneve të vendit, konstituimi i parlamentit dhe qeverisë. Jam plotësisht i bindur sepse brenda partive politike ka njerëz që dinë të mendojnë për shtetin me disa përjashtime të ndonjë lideri opozitar që nuk e ka këtë qasje mirëpo mendoj që të tjerët mendoj që ekziston logjika shtetformuese dhe institucionaliste e cila ka me mundësu krijimin e institucioneve të vendit edhe të ecim përpara sepse na presin shumë punë dhe shumë rrugë për të bërë”, tha Haxhiu.

Anëtari i PDK-së komenton edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje që në këto zgjedhje janë rritur për 100 mijë më shumë.

Këto rritje Haxhiu i quan vota aksidentale e cila, sipas tij, është krijuar për shkak të krijimit të koalicioneve e jo se VV ka pasur një program të mirëfilltë.

Sa i përket formimit të Qeverisë nga ana e kandidatit për kryeministër nga VV-ja Albin Kurti, anëtari i PDK-së thotë se kjo është një shpresë e kotë e Kurtit.

Përveç se Kushtetuta e thotë qartë se kush e ka të drejtën për ta formuar Qeverinë, Albin Kurti sipas Haxhiut fillimisht duhet të deklarohet nëse e njeh presidentin Hashim Thaçi.

“Është një shpresë e kotë e Albin Kurtit në këtë rast sepse Kushtetuta është e qartë. Në të dyja rastet precizon që e drejta e nominimit është e fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast e koalicionit PAN. Por përpara se të shpresojë një degradim të tillë zoti Kurti duhet të prononcohet a e njeh presidentin Thaçi dhe pas deklarimit të tij që e njeh presidentin Hashim Thaçi për president të vendit sepse deri tash nuk e ka njohur as institucionet e vendit e pas kësaj atëherë mund të shpresoj që nëse ndonjë koalicion në zgjedhjet e ardhshme pas 4 viteve të paktën të shpresojë pasi të ketë njohur publikisht edhe presidentin Thaçi dhe kjo mund të vie në shprehje vetëm pas 4 viteve nëse bënë ndonjë koalicion të mundshëm dhe nuk do t’i ketë votat aksidentale ato çfarë i ka fituar kësaj radhe”, tha Haxhiu.

Nga rezultatet preliminare del se PAN ka fituar 34 për qind të votave. Vetëvendosje 27 për qind ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25 për qind të votave.