Arbëri

Mbi 850 pacientë të hospitalizuar në QKUK e spitale rajonale, 1000 shtretër në dispozicion

Mbi 850 pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale, derisa ka klinika që po mbushin kapacitetet e tyre. Mbi 600 pacientë janë me oksigjeno-terapi dhe në vend janë rreth 1000 shtretër në dispozicion.

Kardiokirurgu Ramë Alaj i cili mbrëmjen e të martës po shërben si mjek kujdestar në Mjekësinë Sportive në QKUK, ka treguar se 92 pacientë janë me oksigjeno-terapi në këtë klinikë. Alaj ka thënë se janë në kapacitetet maksimale që mund t’i ofrojë kjo klinikë.

“Janë të shtrirë rreth 92 pacientë, jemi në limitet maksimale që i ka kjo klinikë. Rreth 90 për qind e tyre janë me oksigjeno-terapi, që është e nevojshme gjatë gjithë kohës oksigjeni. Një pjesë e vogël që nuk kanë nevojë për oksigjen, por kanë disa probleme me mushkëri dhe një numër tjetër i tyre janë në monitorim të vazhdueshëm për shkak të gjendjes më kritike që kanë”, tha ai.

Ndërkaq, në këtë klinikë vetëm edhe tri vende janë të lira për pacientët me probleme shëndetësore nga koronavirusi.

“Në këtë klinikë i kemi edhe tri vende, që e kemi kapacitetin maksimal”, tha ai.

Alaj është i angazhuar në trajtimin e pacientëve me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë, ndërkaq prej tre muajsh ka filluar të mbajë edhe kujdestari në klinikë për të ndihmuar kolegët e tjerë.