Arbëri

Një vit mësim online, profesorët e studentët në UP e quajnë sfidues mësimin virtual

Mbi 50 studentë të vitit të dytë janë kyçur online për ta mbajtur ligjëratën në lëndën “Siguria e të dhënave”.

Bashkë me profesorin Blerim Rexha, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike po bashkëbisedojnë rreth njësisë që po e mësojnë.

Tashmë janë bërë 1 vit qëkur në Universitetin e Prishtinës nisi mësimi virtual si pasojë e pandemisë.

Mësimin në këtë formë, profesori Rexha e cilëson si mjaft sfidues teksa thotë se kjo nuk e zëvendëson aspak mësimin në klasë.

“Konsideroj që mësimnxënia ka degraduar mjaft edhe studentët kanë pasur pengesa gjatë procesit të mësimnxënies, arritjes së objektivave dhe programi nuk është që është lehtësuar dhe u bë më i lehtë, mirëpo teknologjia veçse po avancon dhe kërkesat ndaj mësimnxënies vetëm po rriten, por forma e transmetimit po degradon, sepse me një mësim të tillë online studentët janë shumë më shumë të predisponuar që të largojnë koncentrimin në orë të mësimit”, ka thënë Rexha.

Rexha ka treguar se vazhdimisht ka kërkesa nga studentët që të kthehen në fakultete, por që aktualisht është e pamundur për shkak të situatës.

E studentët po i konsiderojnë ligjëratat dhe ushtrimet online si të vështira e jo efektive.

“Këto për besë janë shumë të dëmshme për Fakultetin Teknik për arsye se kemi shumë ushtrime numerike dhe laboratorike, dhe nuk kemi praktikë që na nevojitet neve si fakultet... Ligjëratat jo që kanë ndonjë efekt si online, si fizikisht, mirëpo ushtrimet e kanë pasur efektin e vet kështu që besoj që Fakulteti Teknik i ka kapacitetet të paktën me i mbajt ushtrimet fizikisht e jo online”, ka thënë studenti Edi Zenelaj.

Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se nga 16 marsi i vitit të kaluar, kur nisi zyrtarisht mësimi online në UP, janë mbajtur gjithsej 235.517 ligjërata virtuale.