Arbëri

PDK-ja mbledh anëtarët e Kryesisë një ditë para mbledhjes së Këshillit Drejtues

Rënia në vota e Partisë Demokratike të Kosovës ka shpeshtuar mbledhjet e strukturave të partisë.

Të martën, një ditë para mbledhjes së Këshillit Drejtues, PDK-ja ka mbledhur anëtarët e Kryesisë, siç ka thënë Enver Hoxhaj, në takim të rregullt.

“Ne do të diskutojmë mbi një temë të vetme dhe tema e vetme është se si Partia Demokratike e Kosovës të përgatitet për zgjedhjet lokale. Kjo qëndron, kjo është, kjo do të ndodhë”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj mohoi se në mbledhje mund të flitet për pakënaqësi brenda PDK-së pas rezultatit zgjedhor, derisa i ftoi gazetarët që të mos presin para selisë së partisë.

“Unë po ju them me mendimin e plotë dhe me sinqeritetin më të madh që nuk ka asgjë tjetër. Ju mund të qëndroni tërë ditën, mund t’ju sjell edhe nga një kafe si Boris Johnsoni që u sjellke mediave, ose nga një çaj, por kjo është”, shtoi ai.

Dorëheqjen e Kryesisë së PDK-së e ka kërkuar publikisht anëtari i Këshillit Drejtues, Lirak Çelaj, duke thënë se është deformuar demokracia brenda partisë.

“Ne kemi një kryesi të emëruar dhe ka humbur legjitimitetin, prandaj kjo kryesi duhet të dorëhiqet dhe duhet të emërohet një kryesi tjetër”, tha Çelaj në Interaktiv të KTV-së.

Të mërkurën, në mbledhjen e organit më të lartë të PDK-së, sipas kryetarit në detyrë, Enver Hoxhaj, pritet të diskutohet rreth mënyrës se si do të sillet partia gjatë qëndrimit në opozitë.