Arbëri

Dy dilema kushtetuese për ndërrimin e pushtetit

Me t’u afruar seanca konstituive e legjislaturës së re, kanë dalë në sipërfaqe dy dilema kushtetuese që lidhen me presidentin. E para ka të bëjë me atë se kush duhet ta ushtrojë detyrën e kreut të shtetit kur të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, ndërsa e dyta me kohën kur duhet zgjedhur presidenti – para ose pas formimit të qeverisë së re. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ndan pikëpamje të kundërta me ato të Lëvizjes Vetëvendosje, parti që ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit

Me të filluar seanca konstituive e legjislaturës së re të hënën, do të nisë një transicion, për ecjen e mëtejme të të cilit ka dilema kushtetuese. Dilemat lidhen me hapin e dytë që duhet ndërmarrë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për atë se kush duhet ta ushtrojë detyrën e presidentit, në rast se do të zgjidhet një kryeparlamentar i ri.

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, përmend një itinerar, të cilin nuk pritet ta ndjekë Lëvizja Vetëvendosje, parti që i ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, ai ose ajo bëhet me automatizëm ushtrues detyre i presidentit”, thotë Hasani, i cili është edhe profesor i të Drejtës Kushtetuese në Juridik. “Por që, zgjedhja e presidentit, sipas Kushtetutës, sipas renditjes së organeve, vjen menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe pastaj ekzekutivi. Kështu është karakteri i Kushtetutës sonë që e sanksionon një regjim parlamentar kushtetues”.

Kryesia e Kuvendit në përbërje të vjetër ka mbajtur mbledhjen, me qëllimin për organizimin e seancës konstituive. Pas saj, zyrtarë të Vetëvendosjes kanë lënë të kuptohet se kryeparlamentarja aktuale, Vjosa Osmani, do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e kreut të shtetit dhe se zgjedhja e Qeverisë do të bëhet para zgjedhjes së presidentit.

“Në aspektin formal juridik, duhet që sapo të vijë letra nga ana e ushtrueses së detyrës së presidentes për mandatimin e kryeministrit, Lëvizja është gati që ta thërrasë seancën”, thotë Arbërie Nagavci, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përkitazi me çështjen që lidhet me ushtrimin e detyrës së presidentit dhe me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, KOHA ka adresuar pyetje në kabinetin e Osmanit e edhe në Vetëvendosje. Por, përgjigjja ka munguar.

Pas tri palë zgjedhjeve të fundit, në Gjykatën Kushtetuese janë zhvilluar beteja juridike rreth kushtetutshmërisë së konstituimit të institucioneve të reja.

Enver Hasani nuk pret që zgjedhja e organeve të reja të bëhet objekt shqyrtimi në gjykatë, por këmbëngul se formimit të qeverisë duhet t’i paraprijë zgjedhja e presidentit, meqë ai përbën autoritetin që legjitimon organet e tjera.

“Ai është vlerësim politik, por nuk besoj. Ajo nuk ka rëndësi”, thotë Hasani. “Ajo çfarë ka rëndësi është që hierarkia e organeve duhet të respektohet, sepse presidenti nuk është pushtet. Ai është legjitimues, menjëherë pas Kuvendit, i organeve të tjera. Kështu që duhet të respektohet për shkak që kjo është Kushtetuta jonë, kështu janë edhe kushtetutat e vendeve të tjera pa përjashtim, që kanë sistem parlamentar”.

Në Vetëvendosje është duke qarkulluar ideja që Kuvendi ta votojë Qeverinë Kurti II më 25 mars, pikërisht në datën kur i është marrë mandati Qeverisë Kurti I, nëpërmjet mocionit të mosbesimit. Më pastaj, synohet të organizohet seanca për presidentin, por zgjedhja e të cilit nuk mund të bëhet pa siguruar praninë në sallë të së paku 80 deputetëve.