Arbëri

Institucionet arsimore mbesin të hapura, SBASHK-u fton Qeverinë të marrë masa

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka shqyrtuar mundësinë e mbylljes së institucioneve arsimore, ndonëse në javët e fundit është rritur numri i rasteve me COVID-19. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë, bashkë me atë të Arsimit dhe IKSHPK-në, ta analizojnë situatën aktuale mirë e të marrin një vendim të prerë, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i punëtorëve të arsimit dhe nxënësve

Me gjithë rritjen e rasteve me COVID-19 në Kosovë, institucionet arsimore do të vazhdojnë të jenë të hapura.

Qeveria deri tash nuk ka paralajmëruar mbylljen e tyre. Përderisa në shkolla po punohet sipas tre skenarëve, në arsimin e lartë kryesisht po organizohet mësim i kombinuar.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ministria e Arsimit ka theksuar se deri në një vendim tjetër të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, do të vazhdojë mësimi i organizuar në 3 skenarë, bazuar në dokumentet e miratuara vitin e kaluar.

Sipas MASH-it, Inspektorati i Arsimit është çdo ditë në terren dhe po e përcjell formën e organizimit në shkolla.

“Në funksion të përcjelljes së gjendjes me infektime në shkolla kemi modulin për regjistrimin e rasteve me COVID-19 në shkolla SRRC dhe për çdo eventualitet me rastin e ndryshimit të gjendjes në shkolla do t’ju mbajmë të informuar”, thuhet në përgjigjen për KOHËN.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë dhënë përgjigje konkrete nëse do të shqyrtohet mundësia e mbylljes së institucioneve arsimore, por vetëm kanë sugjeruar të merren si referim deklarimet e dhëna në mbledhjen e fundit të Komitetit për COVID.

Në atë mbledhje, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se mbarëvajtja e procesit mësimor në të gjitha nivelet do të rishikohet dhe vlerësohet sipas nevojës.

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, po kërkon që institucionet përgjegjëse ta shqyrtojnë mirë situatën, e të mos rrezikojnë shëndetin e punëtorëve të arsimit dhe nxënësve.

“Institucionet e shtetit do të duhej seriozisht ta analizonin situatën dhe të merrnin shembuj edhe nga shtetet fqinje. Është e vërtetë që numri i të prekurve ka shënuar rritje dhe kjo reflekton edhe te punëtorët e arsimit, me siguri. Situata është e rënduar dhe unë po pres që IKSHPK-ja, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit ta analizojnë mirë situatën dhe të veprojnë mirë me kohë, të mos presim që të vonohemi, sepse atëherë do të jenë pasojat tepër më të rënda”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave zyrtare të MASH-it, aktualisht pesë shkolla po punojnë në skenarin C me mësim online, 40 në skenarin B me mësim të kombinuar, kurse pjesa tjetër në skenarin A me prezencë fizike.

“Mësimi online dhe në distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B përmes platformës shkollat.org dhe njësive që transmetohen në TV”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

Edhe në institucionet e arsimit të lartë mësimi po mbahet i kombinuar, ku disa nivele po mësojnë online, e pjesa tjetër me prezencë fizike.