Arbëri

Serbia e quan persekutim politik arrestimin e kryetarit të Kllokotit

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka reaguar pas caktimit të masës së paraburgimit për kryetarin e komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq. Ajo u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë të ndalojnë “persekutimin politik të përfaqësuesve serbë në Kosovë” duke theksuar se asnjë gjykim i organizuar kundër Bozidar Dejanoviqit që synon diskreditimin e tij, nuk do të zvogëlojë besimin që gëzon Lista Serbe në mesin e qytetarëve serbë në Kosovë.

“Është e qartë se institucionet e vetëqeverisjes në Prishtinë po shtypin përfaqësuesit e serbëve në Kosovë dhe po përpiqen t'i diskreditojnë ata me procese të manipuluara. Bëhet fjalë për persekutimin politik të Dejanoviq, për të hedhur njollë mbi Listën Serbe, për të cilën 96.14 për qind e qytetarëve në zonat serbe në Kosovë votuan në zgjedhjet e mëparshme. Asnjë përpjekje për të bërë skandale të rreme, ose rrotullime politike nga Prishtina, nuk mund të njollosin mbështetjen dhe besimin që Lista Serbe gëzon midis qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre.

Gjykata Themelore e Prishtinës të shtunën i caktoi masën e paraburgimit për 30 ditë kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviqit. Dejanoviqi ishte arrestuar më 12 mars nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.