Arbëri

BE-ja presion COVAX-it që t’ia sjellë vaksinat Kosovës në muajin mars

Descriptive Text

Bashkimi Evropian nuk ka hequr dorë nga qëllimi që një pjesë të vaksinave që janë siguruar për vendet e saj anëtare të jepen edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Një premtim të tillë BE-ja e kishte dhënë edhe para se të niste procesi i vaksinimit në vendet anëtare, por kur kanë kaluar dy muaj e gjysmë prej kur nisi vaksinimi në BE, asnjë dozë e vetme s’është dhënë nga shtetet e bllokut për Ballkanin. Kjo ka bërë që vetëm vendet që kanë siguruar vetë vaksinat të nisin procesin e vaksinimit, me Kosovën që ka mbetur pa asnjë dozë ende.

“Ne jemi po ashtu të pakënaqur për këtë fakt. Por kjo nuk është rezultat i neglizhencës apo mungesës së vullnetit nga BE-ja sa është rezultat i rrethanave dhe mungesës së bashkëpunimit të duhur nga ana e prodhuesve të vaksinave”, ka thënë një diplomat i BE-së. Burimet e KOHËS në Bruksel kanë thënë se vetë vendet anëtare kanë probleme serioze me sigurimin e vaksinave, sepse prodhuesit nuk janë duke iu përmbajtur obligimeve të tyre nga kontratat. Kjo, sipas këtyre burimeve, ka ndikuar shumë edhe që të mos realizohet qëllimi i dhënies së disa dozave nga vendet e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por në BE tërheqin vërejtjen që të mos harrohet dhe ndahet kontributi i BE-së nga programi COVAX, sepse pikërisht BE-ja është edhe donatorja më e madhe në këtë program me më shumë se 2 miliardë euro. Në anën tjetër për vendet e Ballkanit janë dhënë 70 milionë euro shtesë për të ndihmuar në këtë proces nga buxheti i Bashkimit Evropian.

Burimet e BE-së kanë thënë se “është arritur të përshpejtohet pak” dhe që Kosova vaksinat e para nga programi COVAX t’i marrë gjatë muajt mars. Sipas të njëjtave burime, ka pasur rrezik që vaksinat të vonohen për Kosovën deri në muajin maj.

Ekspertët në Bruksel të cilët merren më çështjen e vaksinimit në BE thonë se “është një proces shumë i komplikuar me shumë hollësi që duhet sqaruar” dhe se “kur mungon edhe besimi i plotë te prodhuesit atëherë problemi bëhet edhe më i komplikuar”.

Një prej çështjeve që po ashtu ndikon në vonesat e vaksinave, përpos mungesës së tyre në treg, është edhe çështje e përgjegjësisë në rast të pasojave. Prandaj vendet të cilat mund të përfitojnë nga donacionet duhet të ketë edhe procedura të qarta për transport, ruajtje dhe përdorim të vaksinave, si dhe për përgjegjësinë për pasojat eventuale.

Edhe brenda BE-së ka një dallim të madh mes shteteve anëtare në procesin e vaksinimit, si dhe në numrin e dozave që shtetet i kanë marrë deri me tash. Kjo ka nxitur edhe kritika dhe akuza për “tregti nën tavolinë” mes disa shteteve anëtare dhe prodhuesve të vaksinave.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka shprehur publikisht këto dyshime duke përmendur se “Holanda për kokë banori ka marrë dy herë më shumë vaksina sesa Kroacia, ndërsa Malta tri herë më shumë se Bullgaria”.

Deri më tash në BE mesatarisht me më së paku një dozë janë vaksinuar mbi 6 për qind e qytetarëve, ndërsa janë shpërndarë mbi 60 milionë doza. Dallimet janë të mëdha, sepse Malta ka vaksinuar mbi 15 për qind të qytetarëve, Danimarka mbi 10 për qind, ndërsa Bullgaria dhe Kroacia afër 4 deri 5 për qind.

Shpërndarja bëhet në bazë të numrit të banorëve në mënyrë proporcionale. Por, siç ka sqaruar në Bruksel kryeministri i Kroacisë, nuk mund të bëhen krahasime të thjeshta sipas numrit të përgjithshëm të vaksinave të cilat i ka kontraktuar BE-ja dhe numrit të dozave që u janë shpërndarë vendeve anëtare.

BE-ja ka bërë kontrata në emër të të gjitha shteteve anëtare, por secili shtet ka zgjedhur vetë se sa vaksina do të porosisë nga cili prodhues. Ato shtete të cilat kanë porositur më shumë doza nga “Pfizer” dhe “Moderna”, të cilat edhe janë aprovuar të parat për përdorim, kanë marrë më shumë. Ndërsa ato që kanë porositur më shumë “AstraZenneca”, të cilat janë aprovuar më vonë dhe prodhuesi ka zvogëluar për më shumë se gjysmën distribuimin e tyre, kanë marrë më pak.

Sa u përket Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në BE thonë se nuk kanë asnjë pengesë që në mënyrë individuale të bëjnë kontrata dhe të sigurojnë vetë vaksinat. Kufizimet ekzistojnë vetëm për vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk mund të ketë kontrata me ato kompani me të cilat Komisioni Evropian ka bërë kontrata.

Pas aprovimit të vaksinës Johsnon&Johnson për përdorim në BE, problemi me vaksinim do të zbutet, ndonëse vaksinat e para të këtij prodhuesi amerikano-belg do të vijnë në muajin prill. Kjo është vaksina e parë për të cilën mjafton injektimi i vetëm një doze dhe ajo mund të ruhet në kushte normale në frigorifer.

Burimet e BE-së kanë rikujtuar se, si masë për të detyruar prodhuesit e vaksinave që të respektojnë obligimet ndaj Bashkimit Evropian, kanë vendosur edhe mekanizmat e ndalimit të eksportit të vaksinave. Por nga kjo ndalesë janë përjashtuar vendet e Ballkanit Perëndimor, që po ashtu dëshmon për kujdesin e BE-së për vendet e rajonit.