Arbëri

Virusi në miliardat e shtetit (II): Borxhi ia kërcënon Kosovës qëndrueshmërinë fiskale

Kosova nuk ka njohur deficit më të lartë buxhetor, sesa në kohën e pandemisë. Hendekun vjetor mes të hyrave dhe shpenzimeve që është më shumë se gjysmë miliardi euro, Qeveria synon ta zbusë nëpërmjet borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, i cili aktualisht është gati 1.5 miliardë euro. Një dokument qeveritar thotë se ky borxh pritet të dyfishohet deri në vitin 2023. Ekspertët e ekonomisë alarmojnë se dinamika e tashme e hyrjes në borxhe përbën kërcënim për qëndrueshmërinë fiskale të Kosovës

Prishtinë, 11 mars – Qëndrueshmëria fiskale e Kosovës ndodhet në rrezik, pas hendekut në mes të të hyrave dhe shpenzimeve vjetore. Stoku i borxhit me të cilin Qeveria synon ta zbusë këtë hendek, brenda 2-3 vjetësh pritet ta mbërrijë tavanin që e kufizon ligji, e sipër të cilit nuk mund të dilet edhe nëse shtrohet nevoja për kredi të reja ndërkombëtare, apo për lëshim të letrave me vlerë.

Pandemia COVID-19, që u bë burim edhe i krizës ekonomike në të gjithë globin, ia ndryshoi strukturën buxhetit vjetor në 2020-n. Pas rishikimit të buxhetit që u bë me synimin për t’i adresuar veçmas pasojat në ekonomi, 831.9 milionë euro ishin projektuar më shumë shpenzime, sesa të hyra që ishin planifikuar.

Ky deficit buxhetor është i barasvlershëm me 6.5-përqindëshin e Bruto Produktit Vendor (BPV) dhe ka përbërë rekord të zi për Kosovën. Ai u mundësua me amendamentimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike, që deri atëherë e kufizonte deficitin në 2 për qind të BPV-së së parashikuar.

Edhe në buxhetin e 2021-s është paraparë një deficit prej më shumë se gjysmë miliardi euro, e që është sa dyfishi i mesatares së viteve të parapandemisë.

Në Ministrinë e Financave tregojnë se hendekun mes të hyrave dhe shpenzimeve, që sivjet është -560 milionë euro, do ta mbulojnë kryesisht me borxh.

“Rreth 105 milionë euro financim direkt buxhetor nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore; rreth 330 milionë euro kredi të rregullta; 170 milionë euro emetime të reja të Letrave me vlerë; rreth 28 milionë euro nga financimi i njëhershëm nga procesi i likuidimit/privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit; rreth 10.5 milionë euro grante për mbështetje buxhetore nga Bashkimi Evropian (pa kthim); 11.4 milionë euro nga kthimi i rregullt vjetor i Kredisë nga Korporata Energjetike e Kosovës; dhe pjesa e mbetur rreth 6 milionë euro, nga pranimet e dedikuara, përkatësisht të hyra vetjake”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.

Rreziqet me borxhin

Kujtim Dobruna është drejtor ekzekutiv i Iniciativës Ekonomike për Kosovën (ECIKS) dhe thotë se ky deficit nënkupton që Kosova do të hyjë në borxhe të reja. Pra, të huazojë para nga gjeneratat që vijnë, për të përmbushur caqet e tashme buxhetore.

Ai paralajmëron se, si rrjedhojë e kësaj, brenda pak vitesh do të ketë rritje të lartë të borxhit shtetëror, në shkallën sa të përbëjë rrezik për qëndrueshmërinë fiskale.

“Para pandemisë lartësia e borxhit shtetëror ishte e pranueshme: 17,5 për qind e BPV-së. Gjatë vitit që lamë pas, ky borxh u rrit në 24,8 për qind, ndërsa në këtë vit, pra më 2021, do të arrijë në 28,7 për qind. Me këtë trend, Kosova për 3-4 vjet do të arrijë limitin e epërm të borxhit shtetëror prej 40 për qind të lejuar me ligj”, thotë Dobruna. “Kështu, vendi ynë rrezikon qëndrueshmërinë fiskale në njërën anë dhe pamundësinë të sigurojë burime të reja të financimit për projekte produktive, që mund të ndihmojnë rritjen ekonomike”.

Pandemia COVID-19, që u bë burim edhe i krizës ekonomike në të gjithë globin, ia ndryshoi strukturën buxhetit vjetor në 2020-n. Pas rishikimit të buxhetit që u bë me synimin për t’i adresuar veçmas pasojat në ekonomi, 831.9 milionë euro ishin projektuar më shumë shpenzime, sesa të hyra që ishin planifikuar.

Përmend edhe rreziqe të tjera.

“Shto kësaj edhe rrezikun valutor, për pjesën e borxhit në valutë të huaj, pastaj atë të normave të interesit dhe të rrezikut të rifinancimit, atëherë situata buxhetore dhe fiskale bëhet edhe më e rëndë, duke rrezikuar seriozisht qëndrueshmërinë e saj”, alarmon Dobruna.

Buletini vjetor mbi borxhin ende nuk është finalizuar, por mbështetur në raportin që i referohet tremujorit të fundit të vitit të shkuar, e që është publikuar në janar, borxhi i përgjithshëm shtetëror deri në fundvitin e shkuar ishte 1 miliard e 487.7 milionë euro, prej të cilave 525.80 milionë euro borxh ndërkombëtar dhe 961.90 milionë euro borxh i brendshëm. Portofoli i borxhit përmban edhe garancitë shtetërore, e të cilat në fundvitin e shkuar ishin në shumën prej 31.65 milionë eurosh.

Ndonëse të dhënat e këtij raporti – e që të njëjta ka ofruar edhe Ministria e Financave – flasin për borxh diçka më të ultë sesa ai që e përmend ekonomisti Dobruna, është një dokument i miratuar rishtas në Qeveri, i cili rrit alarmin se Kosova ndodhet në prag të mbërritjes së tavanit, sipër të cilit nuk mund të shkojë me borxhin.

Programi për Reforma në Ekonomi 2021-2023 ofron projeksionin se në vitin 2021 borxhi i përgjithshëm pritet të shkojë në 2 miliardë e 243.2 milionë euro, kurse në vitin 2023 të mbërrijë në 3 miliardë e 57.5 milionë euro, përkatësisht 38.93 për qind të BPV-së. E, Ligji për Borxhin Publik përfshin dispozita që saktësojnë se borxhi nuk mund ta tejkalojë limitin prej 40 për qind të BPV-së.

Muhamet Mustafa është profesor i ekonomisë dhe autor i një studimi, që në vitin 2019 Instituti Riinvest e ka bërë mbi borxhin e Kosovës. Ai nuk e konsideron problem të madh çështjen e limitit, meqë si i tillë mund të lëvizet me ndryshime ligjore dhe në koordinim me FMN-në. Por, problem i madh thotë të jetë fakti se hyrja në borxhin publik të brendshëm dhe të jashtëm bëhet pa një studim dhe rigorozitet të nevojshëm profesional.

“Përqindja e borxhit publik ndaj BPV-së është një tregues i rëndësishëm i nivelit të ngarkimit me borxhe, por nuk tregon tërë të vërtetën”, thotë Mustafa. “Një shtet që ka një ngarkesë të BPV-së me borxhe publike prej 80 për qind, por që i ka investuar në projekte që sigurojnë kthim adekuat, është në pozitë më të mirë sesa ai që ka një ngarkesë prej 20 për qind, por që i ka investuar në projekte joadekuate që nuk sigurojnë fitim për t’i kthyer kreditë”.

E, dobësitë e menaxhimit të borxhit të jashtëm, janë evidentuar në shumë raporte, përfshirë ato periodike të Qeverisë.

Megjithëkëtë, në zyrat që në Kosovë i kanë Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, nuk dhanë ndonjë vlerësim për këtë performancë, ndonëse u adresuan pyetje.

Borxh për deficitin

Deri më tani, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer një auditim të veçantë për borxhet publike, ndërsa kapitulli mbi këto borxhe trajtohet çdo vit në kuadër të auditimit të rregullt të Pasqyrave Financiare Vjetore të Qeverisë, dhe po ashtu raportohet si kapitull i veçantë në Raportin vjetor të Auditimit.

Në auditimin e veçantë, mes të tjerash, ishte evidentuar se shteti ka hyrë në huamarrje para se të jenë krijuar kushtet për shfrytëzimin e këtyre fondeve. Në raport ishte theksuar se, si pasojë e kësaj: ka vonesa të konsiderueshme në fillimin e projekteve të planifikuara për t’u financuar nga fondet e huamarrjes; ka mosharmonizim të procedurave vendore me procedurat e kreditorëve; ka mungesë të stafit të kualifikuar në njësitë zbatuese të projekteve; si dhe ka vonesa në ratifikimin e marrëveshjeve nga ana e Kuvendit.

Ishin dhënë edhe rekomandime. Por, në Zyrën Kombëtare të Auditimit tregojnë se rekomandimet pak kanë gjetur zbatim.

“Ministria e Financave ka adresuar vetëm pjesërisht rekomandimet e dhëna gjatë viteve të kaluara”, thonë nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim në Zyrën Kombëtare të Auditimit. “Përmirësimet në procesin e menaxhimit me borxhe publike janë vërejtur, ndonëse arsyet për mosefikasitet të shpenzimit të këtyre fondeve ende vazhdojnë të jenë prezentë”.

Portofoli i borxhit të brendshëm ka filluar të krijohet nga viti 2012, me emetimin e parë të Letrave me Vlerë, fillimisht afatshkurtra, për të vazhduar me rritje graduale të afateve të maturimit. Mjetet nga ky borxh shkojnë për financim të deficitit dhe, ndryshe nga kreditë, ato nuk janë të destinuara për ndonjë projekt specifik. Kjo kategori borxhi ka mbërritur gati në një miliard euro (në 961.9 milionë euro).

Borxhi i jashtëm mund të rritet shumë më shumë nëse lidhen marrëveshje financiare me institucione të Shteteve të Bashkuara, bazuar në dokumentin e zotimeve që kryeministri Avdullah Hoti e ka firmosur në shtatorin e vjetëm, në Shtëpinë e Bardhë. Ai pati thënë pas ceremonisë së nënshkrimit se me firmën e vënë, vendi do të sigurojë investime më shumë se një miliard dollarë, për projektet e përmendura në zotime, përfshirë: Autostradën e Paqes, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares; Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit; Sigurimin e financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; dhe Projekte bilaterale shtesë.

Vitin e shkuar, letra me vlerë u lëshuan për 50 milionë euro më shumë sesa ishte planifikuar. Ministria e Financave e bëri këtë, me metodën e vendosjes private tek Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës. Bashkë me këtë shumë, vetëm në 2020-n emetime u bënë në shumën 170,02 milionë euro, shumica prej tyre nëpërmjet ankandit publik.

Kjo parqet një rritje të kësaj kategorie të borxhit për rreth 20 për qind në krahasim me gjendjen në fund të vitit 2019.

Profesori Muhamet Mustafa thotë të përbëjë shqetësim dinamika shumë e shpejtë e rritjes së borxhit të brendshëm, shkaku që kriteret e rigorozitetit profesional të përdorimit të mjeteve janë edhe më komode.

“Dinamika e tillë e rritjes së borxhit të brendshëm publik është shqetësuese, pasi mund të rrisë apetitet për një konsum buxhetor përtej mundësive të shoqërisë, që rrezikon zhvillimin e qëndrueshëm, e cila secilën gjeneratë e bën të përgjegjshme ndaj gjeneratave të tjera në aspektin e zhvillimit afatgjatë të shoqërisë”, thotë ai. “Esenca është që hyrja në borxhe, qofshin ato të jashtme, ose qofshin ato të brendshme, të bëhet në bazë të studimeve serioze lidhur me kostot e përfitimet. Ne po frikohemi se këtu, sidomos te borxhi i brendshëm, ka bukur shumë improvizime që duhen tejkaluar domosdo”.

Në Ministrinë e Financave thonë se tejkalimi i projeksionit për borxhin u bë shkaku i të hyrave që ranë me të mbërritur pandemia, e që paralelisht shpenzimet u shtuan.

Kredi për pandemi

Qysh në marsin e vjetëm, Qeveria miratoi Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej rreth 190 milionë eurosh. Mjetet u ndanë si subvencione për sektorin privat, si ndihmë për përfituesit e skemave sociale dhe ndërmarrjet publike, si subvencione për bujqit, si ndihmë për komunat, komunitetet pakicë dhe punëtorët e sektorit publik që ishin në front me virusin që shkaktoi pandeminë. Masat e reja u përfshinë edhe me rastin e rishikimit të buxhetit. E, në dhjetor Kuvendi miratoi Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, i cili përcaktoi një ndihmë tjetër prej rreth 200 milionë eurosh.

Në këtë kohë, krahas emetimit të letrave me vlerë, Qeveria kreditoi 215.33 milionë euro në institucione financiare ndërkombëtare. Borxhi i tërësishëm për këtë vit është rritur për shumën prej 286.71 milionë eurosh, meqë në emër të kryegjësë, përkatësisht kthimit të kredive, janë paguar 88.71 milionë euro.

E, prej marsit të vjetëm kur ka mbërritur pandemia, Kosova ka lidhur 10 marrëveshje ndërkombëtare për kredi, 6 prej të cilave janë marrë specifikisht për çështje që lidhen me pandeminë COVID-19.

Sipas informatave që ka ofruar Ministria e Financave, borxhi ndërkombëtar i kontraktuar për këtë qëllim është 284.90 milionë euro. Në Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim u morën 22.30 milionë euro për Projektin për fuqizimin e sektorit financiar; po në këtë Asociacion u mor edhe një kredi tjetër prej 46 milionë eurosh për projektin emergjent COVID-19 për Kosovën; në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës 35 milionë euro në kuadër të Instrumentit për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19; në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim u mor kredia e likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale, në vlerë 30 milionë euro; në Fondin Monetar Ndërkombëtar u morën 41.3 milionë euro në kuadër të Instrumentit për financim të menjëhershëm; si dhe 100 milionë euro u morën në Bashkimin Evropian, si ndihmë makro-financiare për Kosovën.

E, katër kreditë e tjera janë marrë për mbështetje të projekteve specifike. Në Asociacionin për Zhvillim Ndërkombëtar u morën 14.6 milionë euro për projektin për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeo-hapësinore, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim u kredituan 10 milionë euro për projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit, po për Komunën e Gjilanit u morën 11 milionë euro për projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe 25.1 milionë euro u morën në Asociacionin për Zhvillim Ndërkombëtar, nga programi “Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit”. Marrëveshja për kredinë e fundit nuk është ratifikuar ende në Kuvend, e të tjerat po.

Borxhi i jashtëm mund të rritet shumë më shumë nëse lidhen marrëveshje financiare me institucione të Shteteve të Bashkuara, bazuar në dokumentin e zotimeve që kryeministri Avdullah Hoti e ka firmosur në shtatorin e vjetëm, në Shtëpinë e Bardhë. Ai pati thënë pas ceremonisë së nënshkrimit se me firmën e vënë, vendi do të sigurojë investime më shumë se një miliard dollarë, për projektet e përmendura në zotime, përfshirë: Autostradën e Paqes, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares; Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit; Sigurimin e financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; dhe Projekte bilaterale shtesë.

Një dokument i Qeverisë që përmban Planin e zbatimit të zotimeve nuk saktëson se nga do të financohen projektet. Veç për autostradën, aty përmendet kostoja prej 230 milionë eurosh, që duhet siguruar nga kredidhënësit.

Në Ministrinë e Financave thanë të mos dinë për formën e financimit të këtyre projekteve.

“Nuk kemi informata për këtë çështje në aspektin e borxhit publik”, thuhet në një përgjigje të shkruar.

E, në Ambasadën amerikane nuk u përgjigjën në pyetjet se cilat institucione financiare mund t’i mbështesin projektet, cila do të jetë natyra e mbështetjes (kredi, hua) dhe cila mund të jetë shuma e tërësishme që do të ofrohet për këto projekte.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka shtruar nevojën që Ligji për Borxhin Publik të ndryshohet, me qëllimin që të sigurohet se financimi me borxh ndërkombëtar të projekteve të infrastrukturës publike në Kosovë bazohet në një analizë gjithëpërfshirëse të opsioneve të financimit dhe analizës së tregut.

E ka shprehur këtë, në një vendim që nuk është publikuar, por i cili është siguruar nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike.

“Projektet të cilat përfshihen në Programin e Investimeve Publike (PIP) duhet t’i nënshtrohen analizës së opsioneve të tilla të financimit për të identifikuar nëse mbi bazën e kostos dhe përfitimit projekti duhet të financohet nga buxheti i Kosovës, grantet, kreditë apo kombinime të tyre”, thuhet mes të tjerash në vendim. “Nëse analiza e opsioneve të financimit përcakton se kredia është forma më efikase e financimit, duhet të bëhet një vlerësim i tregut për të identifikuar se cili huadhënës do të siguronte kredinë më me kosto efektive”.

Ekonomisti Kujtim Dobruna thotë se borxhi shtetëror duhet të orientohet në projekte produktive, sepse vetëm kështu gjenerohet një zhvillim ekonomik, që sjell më shumë të hyra buxhetore dhe lehtëson kthimin e borxhit.

“Natyrisht që investimet në infrastrukturë kanë po këtë efekt. Por, vonesat në implementimin e projekteve kanë efekt tepër negativ, jo vetëm se kreditë duhet të kthehen pavarësisht nëse projekti është implementuar apo jo, por edhe se pamundësohet financimi i projekteve të tjera që presin në radhë”, thotë Dobruna.

Kosova e ka nisur borxhin ndërkombëtar në vitin 2009, me trashëgiminë e kredisë nga ish-Jugosllavia me Bankën Botërore, e që quhet Kredia e Konsoliduar C. Më pas ka hyrë në programet e financimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e të cilat shërbejnë për mbështetje buxhetore. Më pastaj, ka lidhur marrëveshje për projekte specifike nga kreditorë të ndryshëm, përfshirë Bankën Botërore, Bankën Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e të tjerë kredidhënës.

Projekti “Virusi në miliardat e shtetit” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Besnik Krasniqit dhe nuk pasqyron domosdo pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).


Nesër lexoni:

Si janë duke u keqmenaxhuar rreth 500 milionë të borxhit të jashtëm? Cilat probleme i shoqërojnë 42 projekte të financuara nga huamarrja ndërkombëtare, që nga viti 2009 e deri më tani? Cili projekt u përfundua dhe kurrë nuk ka hyrë në punë? Paratë e cilës kredi u rrezikuan të devijohen me vendime përmbarimi, shkaku i borxheve të brendshme që një ndërmarrje publike ka? Cilat janë pasojat financiare për Kosovën, që për burim e kanë mosrealizimin e projekteve konform dinamikës së paraparë në marrëveshjet e kredive?